Sot, kur Heroi i Kombit, Zahir Pajaziti do të duhej të mbushte 58 vjeç, te Kompleksi Memorial në Orllan, ku gjendet edhe varri i tij, po bëhen homazhe në nderë të tij, transmeton Zeri.info.
Atje qëndroi zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri, bashkë me bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë të Pajazitit, ku tha se vepra e Zahir Pajazitit do të mbetet frymëzim për gjeneratat e reja.
“Zahiri është vlera sublime e Kombit, vizionar dhe simbol i trimërisë. Vepra e tij është dhe do të mbetet frymëzim për gjeneratat që po vijnë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Heroin Zahir Pajazitin dhe gjithë dëshmorët e Kombit”, është shprehur në këtë rast zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri.
Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.
Ishte një ndër themeluesit e UÇK-s dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës.
Ai u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.
Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.