Ushtria e Kosovës nuk do të jenë pjesë e dialogut me Serbinë në asnjë rrethanë. Kështu ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Të shtunën deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi duke komentuar vendimin e presidentit Thaçi që projektligji për shndërrimin e FSK-së, të mos futet për një kohë në rend dite të Kuvendit, ka thënë se e tërë kjo nismë, është bërë që çështja e Ushtrisë të shtrohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel
Por, Tahiri të martën në një prononcim për lajmi.net ka thënë se Ushtria e Kosovës është çështje e sovraniteti shtetëror të Kosovës dhe një gjë e tillë kurrë nuk do të jetë pjese e negociatave në Bruksel, sikur që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e dialogut asetet shtetërore, shkruan lajmi.net.
“Një çështje e tillë kurrë, asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk do shtrohet në dialogun e Brukselit. Ushtria është çështje e sovranitet shtetëror të Republikës së Kosovës dhe ne kemi bërë tq qartë qëndrimin që Ushtria do të bëhet dhe do të bëhet në bashkëpunim me partneret tanë strategjik siç është SHBA-ja dhe partnerët tjerë, ndërsa dialogu nuk merret më këtë çështje, jo vetëm për Ushtrinë por ne asnjëherë nuk kemi pranuar që për asetet shtetërore të diskutohet në Bruksel”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.
Sa i përket vazhdimit të dialogut Tahiri ka thënë se janë duke respektuar rezolutën e Kuvendit, e cila parasheh pezullimin e dialogut deri në limimin e Ramush Haradinajt i cili sipas Tahirti, po mbahet padrejtësisht në Francë.
Kuvendi i Kosovës më 9 mars ka miratuar një rezolutë e cila ka kërkuar që dialogu me Serbinë të pezullohet deri në lirimin e Ramush Haradinaj, i cili është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze nga një fletëarrest i lëshuar nga Serbia, me anë të të cilit ai akuzohet se ka kryer krime lufte ndaj qytetarëve serbë. /