Dy ditë e një vit pas nënshkrimeve të katër marrëveshjeve në Bruksel, analisti Nexhmedin Spahiu thotë se dialogu është futur në qorrsokak.
Më 25 gusht 2015 ishin nënshkruar marrëveshja për themelimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe ajo për urën e Ibrit si dhe ishin përcaktuar planet e veprimit për zbatimin e marrëveshjeve të telekomunikacionit dhe energjisë.
Edhe pse kanë kaluar një vit, marrëveshja kryesore e asaj kohe për statusin e asociacionit pos që ka prodhuar protesta të shumta dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që pozita e opozita po e interpretojnë ndryshe, nuk ka sjellë diçka të re.
KALLXO.com kishte shkruar më herët se qeveria ka nisur krijimin e grupit menaxhues për hartimin e këtij statusi, që do të përbëhet nga 4 serbë në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushteti Lokal si dhe nga zyrtarë të OSBE-së.
Por punët nuk kanë shkuar përtej kësaj.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri thotë për KALLXO.com se nuk ka vend për asociacionin derisa Serbia t’i plotësojë disa kushte.
“ Nuk kemi më çka të bisedojmë rreth asociacionit në Bruksel , sepse marrëveshje është arritur, por ne ende nuk e kemi filluar zbatimin, përkatësisht nuk kemi filluar me hartimin e statutit, për shkak se i kemi dhënë disa kushte, kemi thanë që përderisa Serbia i ka blloku kodin telefonik edhe KOSTT-in që të veprojnë si të pavarur në bazë të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel,” tregon ajo.
Në Bruksel më 15 gusht u zhvilluan bisedime në të cilat pala kosovare njoftoi se do të bisedohej për kodin telefonik të Kosovës, e shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq u tha medieve serbe se bisedimet do të zhviloheshin për themelimin e asociacionit dhe funksionimin pa pengesa të Telekomit të Serbisë në Kosovë.
Edita Tahiri një ditë më pas tha për KALLXO.m se nuk është biseduar fare për asociacionin. Edhe Maja Kociancic, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini konfirmoi se është biseduar për telekomunikacionin.
Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit pas këtyre bisedimeve pala kosovare deklaratat e Gjuriqit i cilësoi të pavërteta.
Por analisti Nexhmedin Spahiu thotë se paaftësia e negociatorëve kosovarë po e bën dialogun e Brukselit të dëmshëm.
“Bisedimet me Beogradin kanë shkuar në qorrsokak për shkak të paaftësisë së ekipit negociator të Prishtinës, e që janë duke e dëmtuar rëndë interesin e Kosovës,” thotë Spahiu.
Në lidhje me të rejat rreth zbatimit të marrëveshjes për parimet e Asociacionit të Komunave Serbe, KALLXO.com tentoi të marrë edhe deklarata nga deputetët të Listës Serbe, pjesë e koalicionit qeveritar në Kosovë, por ata ishin të paqasshëm.
Më herët Nenad Rashiq, njëri nga këta deputetë kishte thënë për KALLXO.com se partnerët e koalicionit nuk janë duke biseduar për asociacionin.
Tahiri nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të ketë vazhdim dialogu në nivel kryeministrash në Bruksel, por sqaroi se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për këtë.