Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Szijjarto: Mali i Zi gati për anëtarësim në BE

Szijjarto: Mali i Zi gati për anëtarësim në BE

Peter Szijjarto

Mali i Zi është gati të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian (BE), tha të enjten ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto, raporton Anadolu.

“Qëndrimi i qeverisë hungareze është i qartë: Mali i Zi është gati për anëtarësim në BE”, tha Szijjarto pas takimit me homologun e tij Filip Ivanoviq gjatë vizitës së tij në kryeqytetin malazez Podgoricë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi, Szijjarto tha se BE-ja po përballet me probleme ekonomike dhe të sigurisë dhe nevojiten energji dhe dinamizëm të ri nga jashtë.

“Ne besojmë se kjo energji e re mund të vijë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e sigurta që janë të gatshme për një bashkëpunim të tillë”, tha ai.

Ai tha se procesi i zgjerimit të BE-së po përparon ngadalë për Ballkanin Perëndimor, por një nga prioritetet e Hungarisë do të jetë përshpejtimi i procesit.

Ndërkaq, Ivanoviq tha se Mali i Zi i kushton rëndësi mbështetjes së dhënë nga Hungaria drejt anëtarësimit të saj në BE.

“Vendosmëria dhe përkushtimi për dialog konstruktiv rezultoi në vendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit politik në vend”, tha ai.

Pas shpalljes së pavarësisë së tij në 2006, Mali i Zi bëri kërkesën e tij zyrtare për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2008 dhe mori statusin e “vendit kandidat” më 17 dhjetor 2010.

Mali i Zi filloi negociatat e anëtarësimit më 29 qershor 2012 dhe pritet të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së.

Vendi nënshkroi dokumentin e parë zyrtar me NATO-n, Dokumentin Kornizë të Partneritetit për Paqe më 14 dhjetor 2006, dhe u bë anëtari i 29-të i NATO-s më 5 qershor 2017.

Exit mobile version