Mesfushori Ylber Ramadani ka dy synime të mëdha në aspektin profesional.
Synimi i tij i parë është ta ndihmoj skuadrën e Lecces për ta siguruar mbijetesën në Serie A. Ndërsa, synimi i dytë i Ramadanit është që të ketë paraqitje të mira me Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian që këtë verë mbahet në Gjermani.
Për të dyja këto synime, Ramadani ka folur të mërkurën në një konferencë për shtyp pasi Lecce të dielën ka një ndeshje të vështirë në udhëtim te skuadra e Sassuolos.
Pas 32 xhirove të luajtura në Serie A, Lecce është në pozitën e 13-të në tabelë me 32 pikë të mbledhura, ndërsa ende nuk e ka konfirmuar mbetjen në elitën e futbollit italian. Deri në fund të këtij edicioni në Serie A, kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u luajtur.
“Kur futem në fushë kam besim të madh. Nuk i frikësohem askujt. Dua vetëm të paraqitem mirë dhe të fitoj ndeshje. Dua të siguroj mbijetesën së pari dhe më pas të paraqitem mirë në Kampionat Evropian”, ka thënë Ramadani, i cili pritet të jetë titullar të Shqipëria në “Euro 2024”.
28-vjeçari verën e shkuar iu bashkua Lecces nga Aberdeeni dhe deri më tani ka 30 paraqitje dhe një gol të shënuar në kampionatin italian.
Ramadani ka kontratë me Leccen deri në vitin 2026, ndërsa Shqipëria në Evropian është pjesë e Grupit B së bashku me Spanjën, Kroacinë e Italinë.