Sveçla për aksionin në veri: U parandalua një sulm i mundshëm ndaj institucioneve apo qytetarëve

Ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës ku u sekuestruan armë e pajisje të ndryshme ka parandaluar sulme të mundshme ndaj qytetarëve apo institucioneve.

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se aksioni i sotëm dëshmon që lista e kriminelëve dhe terroristëve që po strehon në Serbi po zgjatet.

“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë beteja në luftimin e terrorizmit teksa po vijon me sukses do të jetë e pandalshme dhe nuk ka kthim prapa.

“Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona”, ka shkruar ai.