Suspendohet një zyrtar policor në Prishtinë, kapet me dy qese drogë

Një zyrtar policor dhe tre persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë, pasi që u arrestua ditën e djeshme në një operacion të Antidrogës në Prishtinë, me qëllim kapjen e të dyshuarve për posedim të paautorizuar të lëndëve narkotike.
Policia e Kosovës mbrëmë është njoftuar për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve ku dyshohej se ishin përfshirë tre qytetarë dhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare).

Rasti raportohet të ketë ndodhur mbrëmë para mesnatës kur njësitë policore në Prishtinë gjatë patrullimit në rrugën “Bejtush Gërbeshi” kanë ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram).

Gjatë kontrollit trupor te një nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë.

Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit) .