Suspendohen 10 zyrtarë të burgjeve, ndihmuan arratisjen e Lushtakut

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar raportimet e lajmi.net lidhur me suspendimin e 10 zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas ngritjes së aktakuzave ndaj tyre.

“Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka pranuar shkresën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku është informuar se ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës është ngritur aktakuzë”, thekson kjo ministri, raporton lajmi.net.

“Me qëllim që procedura penale të zhvillohet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të pandikuar, MD/SHKK ka marrë vendim për largim të përkohshëm nga puna deri në përfundimin e procedurës penale ndaj: E.TH, SH.H, I.D, A.U, B.D, V.B, A.B, Y.B, G.A dhe XH.Z”, theksohet në njoftim, duke u dhënë vetëm inicialet e të larguarve.

Sipas burimeve të lajmi.net në këtë ministri, janë pezulluar Shemsi Hajrizi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i administratës në shërbimin korrektues, Ismail Dibrani, drejtor i Qendrës Korrektuese në Dubravë dhe zyrtarë të tjerë nga ky shërbim.

Dy zyrtarët e lartë, Hajrizi dhe Dibrani janë pezulluar nga Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kurse zyrtarët tjerë nga Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Siç mëson lajmi.net, pezullimet janë bërë pasi që ndaj zyrtarëve të lartëpërmendur është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kundërshtim me nenin 422 par 1 dhe 2.1,2.2,2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndër të akuzuzarit është Bashkim Dervisholli, zyrtar korrektues, i cili akuzohet se ka dhënë ndihmë për lirimin e kundërligjshem të personave të privuar nga liria. Dervisholli ka punuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.