Gjykata Supreme ka marrë vendim me të cilin e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, konfirmoi Uka-Lutfiu.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 25 dhjetor 2024 kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe kishte hedhur poshtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për mosceritfikimin e këtij subjekti politik për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025.
“1.Aprovohet e bazuar ankesa e subjektit politik Lista Srpska, me seli në Komunën e Mitrovicës së Veriut. 2. Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024. Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta certifikon subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, sipas rekomandimeve të Zyrës për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të Datës 22.12.2024, për Zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me datën 9 shkurt 2025”, thuhej në vendim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor 2024, kishte vendosur për moscertifikim të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.