Ballina Kuzhinë Supë peshku për të lëpirë gishtat

Supë peshku për të lëpirë gishtat

Bouillabaisse është një lloj supe peshku me origjinë nga Marseja. Por nuk është thjesht një supë peshku, është vërtetë speciale. Aq speciale, sa personazhet e librit “Një xhentëlmen në Moskë” e patën mision disa mujor për të gjetur të gjithë 15 përbërësit e duhur për të gatuar supën e famshme.

PËRBËRËSIT: një levrek rreth 600 g, 12 karkaleca të mëdhenj, 16 midhje, një qepë të thatë, 4 thelpinj hudhër, një kërcell selino, një finok, disa fije shafran, 2 patate mesatare, 3-4 domate, një yll anice (për aromë), dy shirita lëkurë portokalli, 2 gjethe dafine, pak borzilok i thatë, 2 degëza trumzë, një tufë e vogël majdanoz dhe spec djegës.

PËRGATITJA: Pastrojmë karkalecat dhe i presim në copa. I mbajmë kokat dhe levozhgat për t’i zier. Filetojme peshkun. Lëkurën, halat dhe kokën i vendosim bashkë me kokat e karkalecave të ziejnë me 4 gota ujë për të bërë lëngun e supës. I ziejmë për 15-20 minuta. Skuqim qepën. Shtojmë selinonë, finokun, shafranin. Shtojmë domatet dhe i shtypim pak me pirun. Pastaj shtojmë dhe patatet në copa të vogla. Kullojmë lëngun e peshkut dhe e hedhim tek perimet. Shtojmë gjithë erëzat përveç majdanozit. Kur perimet janë zbutur, heqim dafinen dhe yllin anise dhe e bëjmë supën pure. Shtojmë copat e peshkut, karkalecat, midhjet. Hedhim dhe majdanozin. I lëmë të ziejnë 5-6 minuta. Dhe supa është gati.

Për salcën ruille (mos e lini pa e provuar sepse i thekson mjaft shijen supës) : një spec i kuq i pjekur, një fetë buke, 2 thelpinj hudhër, pak kripë, një lugë gjelle vaj ulliri, 1 lugë e vogël me mustardë dhe dy lugë me majonezë, spec djegës, një lugë gjelle lëng limoni dhe 2 lugë gjelle nga lëngu i supës

I bluajme të gjitha së bashku. Lyejmë me këtë salcë bukën e thekur dhe shoqërojmë supën. Ju bëftë mirë!

Exit mobile version