Shija e kremoze e supës së kungullit të verdhë hap oreksin e mbi të gjitha kënaq shijen.
Kjo supë përgatitet lehtë dhe përbërësit e saj për fat të mirë janë të freskët sepse janë të stinës.
Kjo pjatë fantastike, e cila ka një shije unike dhe aromë me të vertetë mbresëlënëse është e pasur me plot vlera shëndetësore.
Kjo falë kungullit të verdhë që është përbërësi kryesor i saj.
Kungulli është një perim me super veti ushqyese, i pasur me vitamina dhe minerale, por me pak kalori dhe ka pafund mënyra për tu përfshirë në dietë, sa do të habiteshit.
Që nga ëmbëlsira, sallata, byrek me kungull madje-madje mund të jetë një zëvendësues shumë i mirë dhe i gjalpit.
Supa e Kungullit Të Verdhë – Si Ta Përgatisni Në 20 Minuta
Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitamin A në trup.
Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga azma dhe sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen dhe degjenerimin e trupit.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë të thjeshtë që ju mundëson përgatitjen e supës së kungullit për 20 minuta.
Përbërësit:
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 qepë mesatare të grirë hollë,
- 3 thelpinj hudhër të grirë imët,
- Dy filxhanë çaji pure kungulli
- 2 lugë gjelle trumzë të freskët
- Një lugë çaji kripë
- Gjysmë luge çaji turmerik pluhur,
- Çerek luge çaji piper të zi,
- Një majë luge çaji xhenxhefil pluhur,
- Një majë luge spec djegës të kuq,
- 2 filxhanë çaji lëng perimesh,
- 2 lugë gjelle krem pana
- Fara kungulli të pjekura.
Përgatitja:
Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.
Kavërdisni qepën dhe hudhrën dhe më pas shtoni purenë e kungullit, trumzën, kripën, turmerikun, piperin e zi, xhenxhefilin dhe specin djegës.
Kavërdisini së bashku për pesë minuta.
Shtoni lëngun e perimeve dhe lërini të ziejnë së bashku për 4 minuta të tjera.
Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtoni kremin pana.
Sipas dëshirës, përbërësit mund t’i kaloni në një mikser për një supë më kremoze.
Supa serviret e ngrohtë dhe e pasuruar me fara kungulli, trumzë të freskët dhe piper të zi.
Ajo mund të qëndrojë në frigorifer për 5 ditë dhe në ngrirje për 2 muaj.