Një karakteristikë e kësaj metodologjie është se ajo dallohet gjithashtu me lehtësinë, thjeshtësinë dhe tolerancën e saj. Profeti (a.s) e ka pasë marrë në konsideratë aktualitetin dhe realitetin. Disa prej cilësive të autorit të kësaj metodologjie në librat e hershëm – Tevrati dhe Ungjilli – është se ai (a.s): “I urdhëron ata (besimtarët) me punë të mira dhe i ndalon nga punët e këqija, ua lejon ushqimet e këndshme dhe ua ndalon ato të pakëndshmet dhe heq prej tyre barrën e rëndë dhe prangat që ishin mbi ta.”[1]
Në Sunetin e Profetit (a.s) nuk gjendet ndonjë urdhër që ua ngushton njerëzve fenë e tyre apo t’ua bëjë jetën të mundishme. Profeti (a.s) thotë për veten e tij: “Në të vërtetë, unë jam mëshirë e dhuruar.”[2] duke komentuar kështu ajetin kuranor: “Nuk të dërguam veçse mëshirë për botrat.”[3]
Ai (a.s) gjithashtu thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk më dërgoi mua imponues dhe as të rreptë, por më dërgoi si mësues e lehtësues.”[4]
Kur Profeti (a.s) i dërgoi Ebu Musën dhe Muadhin në Jemen, ju dha një porosi të shkurtër, por shumë kuptimplote, Ai ju tha: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni e mos largoni, bindjuni njëri-tjetrit dhe mos u kundërshtoni.[5]
Po ashtu ai (a.s) e mëson Umetin e tij me fjalët: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni e mos largoni.”[6]
Ai (a.s) i tha shokëve të tij, të cilët më parë i ishin vërsulur bedeuinit i cili kishte urinuar në xhami: “Ju jeni dërguar lehtësuses dhe jo vështirsues.”[7]
Ai (a.s) flet për shpalljen e tij duke thënë: “Unë jam dërguar me fenë e drejtë dhe tolerante.”[8]
Ai (a.s) thotë: “O ju njerëz! Veproni ato punë të cilat i përballoni, sepse me të vërtetë Allahu nuk lodhet derisa të lodheni ju.”[9]
Metodologjia e Sunetit është lehtësuese sepse buron nga drita e metodologjisë së Kuranit që ka deklaruar se Allahu dëshiron për robërit e Tij lehtësimin dhe jo vështirësinë dhe se feja është e thjeshtë. Në fundin e ajetit që flet për pastërtinë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi.”[10] E pas ajeteve që flasin për martesën, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë barrët, pasi njeriu është krijuar si qënie e pafuqishme.”[11]
Po ashtu, Profeti (a.s) ka paralajmëruar rreth teprimit dhe ekstremizmit në fe. Për këtë arsye, ai (a.s) nuk e ka bërë legjitime murgërinë, asketizmin dhe as ndalimin e gjërave të mira. Madje ai (a.s) ka bërë thirrje që njeriu të kënaqet me jetën, por duke qenë i balancuar në mënyrën se si e jeton atë. Ai (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu është i bukur dhe e do bukurinë.”[12] Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu dëshiron të shikojë gjurmët e mirësisë së Tij tek robi i Tij.”[13]
Ai (a.s) ka bërë legjitime lehtësimet në çështjet e pastërtisë, namazit, agjërimit dhe haxhit. Ashtu siç ka bërë legjitim tejemumin në vend të abdesit, shkurtimin dhe bashkimin e namazeve në rast udhëtimi, faljen e namazit ulur, shtrirë apo me shenja kur njeriu është sëmurë, brenda mundësisë, e ka bërë legjitime mosagjërimin gjatë muajit të Ramazanit për atë që është sëmurë, udhëtar, për gruan shtatëzënë dhe gjidhënësen. Në lidhje me atë njeri të cilin njerëzit po i bënin hije dhe po e freskonin me ujë për shkak se agjërimi e kishte lodhur gjatë udhëtimit, tha:“Nuk është prej mirësisë, agjërimi në udhëtim.”[14] Me këto fjalë ai (a.s) kishte për qëllim që njeriu nuk duhet ta stërmundojë veten e tij.
Madje ai (a.s) e ka bërë të lejuar bashkimin e namazeve të drekës me iqindinë, akshamit dhe jacisë në Medine edhe sikur mos të kishte ndonjë shkak siç është udhëtimi apo shiu. E kur e kanë pyetur Ibn Abasin (r.a), transmetuesin e këtij hadithi: Çfarë kishte për qëllim? Ai u përgjijg: Ai (a.s) nuk ka pasë dëshirë ta vendosë në vështirësi Umetin e tij.”[15] Pra ua ka lehtësuar atyre.
Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu dëshiron që lehtësimet e tij të merren për bazë, ashtu sikurse nuk e pëlqen që njeriu të mëkatojë.”[16] “Me të vërtetë, Allahu dëshiron që lehtësimet e tij të merren për bazë.. Gjithashtu Ai dëshiron që edhe vendimet e Tij të zbatohen.”[17]
Ai (a.s) i ka ndaluar shokët e tij të agjërojnë vazhdimisht pa ndërprerje nga keqardhja që kishte për ta. Ashtu sikur ua bëri të pëlqyeshme që iftarin ta hanë sa më shpejt kurse syfyrin ta vonojnë sa më shumë, si lehtësim për ta.
Njëherë, disa nga shokët e tij iu ankuan atij për Amër ibn Asin, i cili kur u priu atyre në namaz, kishte marrë tejemum në vend të guslit. Kur ai (a.s) e pyeti atë se përse kishte vepruar kështu, ai i tha se nata kishte qenë shumë e ftohtë dhe mua më ra ndërmend ajeti kuranor: “Mos e mbytni veten tuaj, se vërtet Allahu është i mëshirshëm për ju”[18] Profeti (a.s) buzëqeshi nga kjo përgjigje. Kjo nënkupton se ai (a.s) e miratoi veprimin e Amrit.
Në një ndodhi tjetër, dikush ishte plagosur dhe më pas ai u bë xhunub. Disa njerëz i thanë atij se ai duhej të merrte gusul megjithëse ishte i plagosur. Ai mori gusull, mirëpo plaga avrogoi derisa aq sa ky njeri vdiq. Kjo gjë i ra në vesh Profetit (a.s) i cili tha:“E vranë, Allahu i dënoftë. A nuk do të ishte më mirë për ta të pyesin, përderisa nuk kishin dijeni. Vërtet, padituria shërohet duke pyetur.”[19]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure A’raf: 157.
[2] – Ibn Sa’di, Hakimi dhe Tirmidhiu nga Ebu Salih me zinxhir transmetimi “Mursel”. Këtë hadith, Hakimi e ka transmetuar nga Ebu Hurerja me zinxhir transmetimi deri tek Profeti (a.s). Hakimi – transmetimin e Ebu Hurejres – e ka saktësuar sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Imam Dhehebiu ka dhënë pëlqimin e tij rreth këtij transmetimi, kurse Albani e ka saktësuar në korrektimin që ka bërë ndaj librit “Hallalli dhe Harami.”
[3] – Sure Enbija: 7.
[4] – Muslimi (1478) në kapitullin e “Divorcit”
[5] – Buhari (3038) dhe Muslimi (1733), prej Ebu Musës dhe Muadhit, ashtu sikurse transmetohet edhe në librin “El lu uel merxhan” (2130).
[6] – Buhariu (69),Muslimi (1734), Nesai dhe Tirmidhiu në kapitullin e “Pastërtisë” prej Ebu Hurejres.
[7] – Buhari (220), Nesai (56), Ebu Daudi (380), Tirmidhiu (147) dhe Ahmedi (7255).
[8] – Tabarani e tranmeton këtë hadith prej Ebu Umametu. Në zinxhirin e këtij transmetimi, një transmetues është i dobët ashtu sikurse është përmendur në “Mexhmu’uz Zeuadi” (4/302). Këtë hadith e ka transmetuar edhe Hatibi dhe të tjerë prej Xhabirit me rrugë transmetimi të gjitha të dobëta. Në librin “Fajdul Kadir” lexojmë: Ky hadith ka tre rrugë transmetimi që mund të arrijnë në gradën e vlerësimit të hadithit si Hasen. Shih “Gajetul Meram” të Albanit hadithin numër 8. Këtë hadith e ka transmetuar Hafiz Ibn Haxheri në “Fet’hul Bari” (2:444) prej Siraxhit nëpërmjet Ebu Zinades, ky prej Ur’ues, ky prej Aishes në ndodhinë e Ahbashëve që luajtën në xhami. Në këtë transmetim thuhet: “Le ta dinë hebrenjtë se në fenë tonë ka hapësirë. Unë jam dërguar me fenë e drejtë dhe tolerante.” Dëshmi përfërcuese e këtij hadithi është ajo ç’ka ka transmetuar imam Ahmedi prej Ibn Abasit: Kur e kanë pyetur Profetin (a.s): Kush është feja më e dashur tek Allahu? Ai është përgjigjur: “Feja e drejtë e tolerante.” Hejthemi ka thënë: Këtë hadith e kanë tranmsetuar Ahmedi, Tabaraniu në “Kebir” dhe “Eusat”, Bezari dhe të tjerë. Në zinxhirin e këtij transmetimi ndodhet Ebu Is’haku që vlerësohet si “Mudelis” dhe ai nuk ka folur haptazi. Këtë hadith e ka transmetuar edhe Buhariu në sahihun e tij në kontekstin e haditheve që ai vetë ka vlerësuar si “Mualekat”.
[9] – Buhariu (5861) dhe Muslimi (782), prej Aishes, ashtu sikurse citohet në “Sahihul Xhamius Sagir” (7887).
[10] – Sure Maideh: 6.
[11] – Sure Nisa: 28.
[12] – Muslimi (91) dhe Tirmidhiu (1999), nga Ibn Mes’udi.
[13] – Tirmidhiu (2819) dhe Hakimi (1887), nga Ibn Amri. Hadithi është Hasen, ashtu sikurse citohet në “Sahihul Xhamius Sagir” (1887).
[14] – Buhariu (1946) dhe Muslimi (1115).
[15] – Muslimi (705).
[16] – Ahmedi, Ibn Hibani dhe Bejhaki, prej Ibn Omerit. shtu sikurse transmetohet edhe në “Sahihul Xhamius Sagir” (1886).
[17] – Ahmedi dhe Bejhaki, nga Ibn Omeri. Po ashtu transmeton Tabaraniju prej Ibn Abasit dhe Ibn Mes’udit. Ashtu sikurse transmetohet edhe në “Sahihul Xhamius Sagir” (1885).
[18] – Sure Nisa: 29.
[19] – Ebu Daudi (336), nga Xhabiri. Në këtë tranmetim thuhet gjithashtu: “Atij i mjaftonte të merrte tejemum”. Hadithi është Daif.