Një sulm është ndërmarrë këtë mëngjes nga persona të pa identifikuar ndaj xhamisë Eyüp Sultan, në qytetin Leipzig të Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i shoqatës së xhamisë İsmail Özgan, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se imami i cili kishte mbërritur në xhami rreth orës 04.30 për namazin e sabahut ka vënë re dëmtimin e fasadës së jashtme të xhamisë.
“Murin e kanë lyer me bojë të zezë dhe kanë shkruar fjalë ofenduese. Kanë dëmtuar edhe tabelat e reja që sapo i kishim bërë”, është shprehur Özgan.
Ndër të tjera Özgan ka njoftuar se i kanë dorëzuar pamjet filmike të kamerave policisë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim.
Bëhet e ditur se edhe javën e kaluar në Gjermani ka patur një sulm ndaj një shoqate turke në Berlin, si dhe ditën e djeshme ishte vizatuar një kryq nazist në një xhami në qytetin Freiburg.