Sulmohet automjeti i Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Siri, vritet një pjesëtar i personelit

Një pjesëtar i Gjysmëhënës së Kuqe Turke u martirizua dhe një tjetër u plagos në një sulm të armatosur në veri të Sirisë ndaj automjetit në të cilin gjendej ekipi i organizatës humanitare turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Gjysmëhëna e Kuqe, në një zonë midis qyteteve Çobanbey dhe Al-Bab në veri të Sirisë, ndaj automjetit me emblemë të organizatës u hap zjarr nga persona me maska ​​dhe rroba kamuflazhi nga dy automjete pa targa.

Si rezultat i sulmit, një pjesëtar i personelit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke që punonte në një dyqan në Al-Bab u martirizua dhe një tjetër u plagos. Po ashtu, një person i mbijetoi sulmit pa lëndime.

Pas trajtimit të parë në Çobanbey, pjesëtari i plagosur i personelit, i cili nuk është në rrezik për jetën, do të transportohet në Turqi.

Presidenti i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kerem Kınık, i cili shkoi në rajon pas marrjes së lajmit, dënoi fuqishëm “sulmin e neveritshëm ndaj personelit të Gjysmëhënës së Kuqe”, i cili, siç tha ai, “duhet të mbrohet nga e drejta ndërkombëtare dhe është i paprekshëm sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.

“Unë besoj se sulmuesit do të kapen sa më shpejt të jetë e mundur me përpjekjet e vendit tonë. Ngushëllimet e mia për të gjithë komunitetin e Gjysmëhënës së Kuqe”, deklaroi Kınık.