Ka shkuar në 5 numri i të arrestuarve nga policia britanike e cila thotë se po heton për një rrjet të përfshirë në sulmin në Manchester Arena, të kryer nga Salman Abedi.
Arrestimi më i fundit u krye në Wigan dhe policia bëri me dije se i dyshuari kishte me vete një pako e cila po vlerësohet. Më herët në qytetin e Manchester u arrestuan tre persona të tjerë, ndërsa të martën ra në pranga edhe vëllai i kamikazit 22 vjeçar.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se mes viktimave është edhe një oficere policie që në momentin e sulmit nuk ishte në detyrë. Abedi, i lindur në Britani dhe me origjinë libiane, vrau 22 persona dhe plagosi 64 të tjerë kur hodhi veten në erë pas një koncerti të Ariana Grande mbrëmjen e së hënës.
Zyrtarët e policisë, në një konferencë për shtyp, konfirmuan se po bëhet gjithnjë e më e qartë se pas sulmit qëndron një rrjet njerëzish, pasi Abedi nuk mund të kishte organizuar këtë agresion të planifikuar kaq mirë i vetëm. Hetuesit thanë se Abedi ishte kthyer nga Libia vetëm pak ditë para sulmit dhe dyshohet se ai transportoi dhe përdori bombën e ndërtuar nga dikush tjetër.
Kërcënimi terrorist në Britaninë e Madhe tani është në nivelin më të lartë të tij, atë kritik, çka do të thotë se sulme të tjera mund të ndodhin. Më herët, vetë kryeministrja britanike, Theresa May, konfirmoi se ushtria do të vendosej në pikat kyçe publike për të mbështetur policinë në mbrojtjen e publikut.
Mes këtyre pikave, përfshihet pallati i Buckingham, Dauning Streat, ambasadat dhe pallati i Westminster.
“Ushtarët do të vendosen në vende publike në mbështetje të forcave policore të angazhuara për mbrojtjen e publikut. Trupa ushtarake do të shihen tani edhe gjatë eventeve të ndryshme si për shembull koncerte. Ata do të jenë nën komandën e oficereve të policisë”, deklaroi Theresa May.
Kryeministrja tha se ajo nuk donte që publiku të ndjehej i alarmuar pa të drejtë, por theksoi se ky është një reagim proporcional.