MARDIN (AA) – Është rritur në tre numri pjesëtarëve të sigurisë që ranë dëshmorë si rezultat i aktivizimit të një mjeti shpërthyes të cilin terroristët e PKK-së e kishin vendosur në rrugë në Mardin të Turqisë gjatë kalimit të automjetit që po transportonte ushtarë dhe roje, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burimet e sigurisë, terroristët mjetin shpërthyes e kanë aktivizuar në rrugën Kiziltepe-Derik në një pikë në fshatin Tepedag derisa në të po kalonte një minibus që po transportonte ushtarë dhe roje.
Të plagosurit përmes ambulancave të dërguara në vendin e ngjarjes u transportuan për trajtim në spitalet në Mardin dhe qarqet Derik dhe Kiziltepe.
Si pasojë e sulmit, jetën humbën dy ushtarë, ndërsa dy roje dhe gjashtë ushtarë të tjerë u plagosën. Në ndërkohë, njëri nga ushtarët e plagosur që u transferua për shërim në Spitalin Shtetëror në Derik ra dëshmorë edhe përkundër intervenimeve. Trajtimi ende vazhdon për dy rojet dhe pesë ushtarët e tjerë.
Po ashtu, sulmi shkaktoi një gropë në rrugë, me çka ishte e detyrueshme mbyllja e trafikut.
Nga ana tjetër, po vazhdon operacioni për kapjen e terroristëve.
Në deklaratën nga Prefektura e Mardinit, bëhet e ditur se në afërsi të lagjes Ilica në qarkun Derik, në orën 8:30 shpërtheu një bombë e vendosur në rrugë nga pjesëtarë të organizatës terroriste, në kohën kur aty po kalonte një automjet që po transportonte pjesëtarë të forcave të sigurisë të cilët po kryenin detyrën e kërkimit të minave dhe mjeteve shpërthyese të punuara me dorë.
Në deklaratë njoftohet se si rezultat i shpërthimit, tre ushtarë kanë rënë dëshmorë ndërsa shtatë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur, prej të cilëve 2 më rëndë. Të plagosurit, sipas deklaratës, me shpejtësi janë transportuar nëpër spitale.
“Vazhdon trajtimi i të plagosurve. Po ashtu, janë filluar procedura gjyqësore dhe administrative në lidhje me ngjarjen. Lusim Zotin për mëshirë për ushtarët tanë dëshmorë dhe për shërim sa më të shpejtë për të plagosurit, të cilët qenë viktimë e këtij sulmi tradhtarë që synonte unitetin dhe bashkësinë tonë”, thuhet më tej në deklaratë.