Ballina Lajmet Kosovë Sulmi terrorist në kanalin e Ibër–Lepencit, sërish reduktime uji në Fushë Kosovë,...

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër–Lepencit, sërish reduktime uji në Fushë Kosovë, Obiliq e Drenas

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se do të ketë reduktime të ujit të pijshëm në komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Drenasit nga ora 16:00 deri në ora 20:00.

Sipas njoftimit të KRU “Prishtina” këto reduktime vijnë si pasojë e intervenimeve inxhinierike mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit për të parandaluar rrjedhjet e ujit

“Për shkak të intervenimeve inxhinierike mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit për të parandaluar rrjedhjet e ujit, nga pamundësia që të marrim sasi të mjaftueshme të ujit nga kanali jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Drenas nga ora 16:00-20:00. Shpresojmë që situata të stabilizohet shpejtë!”, vijon njoftimi.

Vlen të përmendet se të premtën e 29 nëntorit ka ndodhur një sulm terrorist në Varragë të Zubin-Potokut, ku është sulmuar me eksplozivë kanali i Ibër-Lepencit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Po ashtu, para se të ndodhte sulmi në Zubin Potok, kishte pasur edhe dy incidente me mjete plasëse në veri, një në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe një sulm me granata dore në stacionin policor në këtë komunë.

Exit mobile version