Jehona e sulmit terrorist në stacionin e metrosë në Londër, të premten e kaluar, duket se është shuar, por jo përpjekjet e policisë për gjetjen e autorit apo autorëve të saj. Dy persona të tjerë janë arrestuar në Uellsin jugor këtë të martë, duke e çuar numrin total të të ndaluarve në 5.
Të arrestuarit janë një 48-vjeçar dhe një 30-vjeçar, të cilëve u janë vënë prangat në orët e para të mëngjesit të sotëm bazuar në Aktin e Terrorizmit, pas kërkimeve në një adresë të caktuar në Newport. Ndërkohë, kërkime po zhvillohen edhe në dy adresa të tjera.
Plot 30 persona u plagosën kur një bombë artizanale shpërtheu pjesërisht brenda një treni në stacionin “Parsons Green” në orët e pikut të lëvizjes së njerëzve.
Mes të arrestuarve të tjerë janë edhe një 25-vjeçar nga Newport, një 18-vjeçar nga Doveri dhe një 21-vjeçar nga Hounslow, në perëndim të Londrës.
Komandanti Dean Haydon, kreu i njësisë antiterrorizëm në Policinë Metropolitane, tha se hetimi vijon të jetë me ritme të shpejta.
“Kemi pasur shumë aktivitete dinamike që prej sulmit të së premtes. Detektivët janë duke zhvilluar hetime të zgjeruara, për të përcaktuar të gjitha faktet që fshihen pas atij sulmi”, deklaroi ai.
Kërkime po zhvillohen edhe në dy adresa në Surrey, që priten të zgjasin për disa ditë.