Ballina Artikuj Sulmi ndaj LOGOS – A, inkuzicion ndaj kulturës së leximit

Sulmi ndaj LOGOS – A, inkuzicion ndaj kulturës së leximit

Shkruan: Nexhmedin Ademi

Nuk besoj se do të duhej të ndihemi të qetë nëse lexojmë se për motive shumë të ulëta okestrohen sulme për ta penguar botimin e librit shqip. Këto ditë në qendër të vëmendjes në opinionin publik, jo vetëm në Maqedoni, është sulmi i drejtuar ndaj Shtëpisë Botuese Logos – A, në Shkup. E para shtëpi botuese për lexuesin shqiptarë pas rënies së diktaturës komuniste në Maqedoni. Emri i saj rezulton të jetë ndër shtëpitë botuese më serioze në hapësirat shqiptare.

Përndryshe, Sh. B. “Logos-A”, këtë vit e feston 26 –vjetorin e veprimtarisë botuese. Nga themelimi i saj ka botuar një mijë tituj të ndryshëm, me mbi tetë milionë kopje libra. Kjo është një e vërtetë, që secilin aderues të fjalës së shkruar shqipe duhet ta bëjë krenarë.

Është për të ardhur keq se të vërtetën nuk e definojnë ata që më së miri e njohin atë, por, ata të cilët pretendojnë se sundojnë me të vërtetën. Dashuria ndaj të vërtetës ulet para dëshirës për pushtet. E cili do të jetë fati i një pushteti i cili jetëgjatësinë e vet e siguron duke u armiqësuar me librin? Sulmi ndaj Logos – A, i motivuar politikisht është sulm ndaj librit, ndaj kulturës së leximit, ndaj artit, ndaj logosit, ilmit, scientas, ndaj dijes. Paradoksi i kësaj mendësie miope qëndron këtu! Kujt i referohet ai pushtet që mbijetesën e vet politike dëshiron ta gëzoj; pa kulturë të leximit, pa dije, pa art, pa logos, pa ilm, pa shkencë!? Pushteti i fituar pa dije dhe kulturë, siguron përfitime për grupimet dhe klanet që ofron pushteti duke dobësuar shtetin, institucionet. Shteti me pushtet të mirëfilltë duhet të rezultojë me mirëqenien sociale dhe zhvillimin e kulturës te një popull. Shqiptarët e pafat, u paskan mashtruar se diktatura komuniste që eksperimentonte përvoja inkuzicioniste mbi librin, reprodukohet te mutantët nostalgjik enverist, që edhe pas tri dekadave harresë të kësaj ideologjie ngrehin dorë për diferencime ideopolitike duke ndaluar botimin e librave shqip dhe duke mbyllur shtëpi botuese shqiptare. Nëse kjo bëhet për llogari politike, atëherë duhet që dikush t’i prish këto llogari të mbrapshta. Ai është sovrani – populli i cili duhet të mendoj seriozisht që kësaj mendësie përfundimisht t’ia pamundësoj mbijetesën politike duke e sanksionuar me votën e lirë.
Shenjë e emancipimit kulturorë është shfaqja e dashurisë për librin. Reagimi sa më i gjerë i autoriteteve shkencore, dashamirës të librit, leximit dhe kulturës, kundër injorancës që shfaqin njerëzit duke penguar leximin e librit, tregon nivelin e qytetarisë dhe emancipimit kulturorë në atë shoqëri. Njerëzit e kulturës, artit, shoqata të shkrimtarëve, shtëpi botuese etj, me reagimet e tyre këto ditë do të duhej të qëndronin pranë kësaj shtëpie botuese. Mundë të mos pajtohemi me politikën redaktuese të Shtëpisë Botuese Logos – A, por nuk duhet të qëndrojmë të heshtur duke mos e denoncuar ndërhyrjen e politikës për ta penguar botimin e librit shqip dhe kontributin e saj për kulturën e leximit. Kjo dhunë ndaj librit shqip nëse tolerohet ndaj Logos – A në Shkup, nuk është e thënë që nesër mos t’i ndodhë edhe të tjerëve. Dhuna e shprehur nga diktatura nuk njeh ideologji, pikëpamje filozofike apo religjioze. Ajo një gjë e nuhat dhe e ndëshkon. Idenë që buron nga libri për ta promovuar lirinë, lirinë e mendimit dhe kulturën e leximit. Në fund të fundit, cili do të ishte kuptim i lirisë pa zhvillim të kulturës?
Te, “Nxënësi i djallit”, të B. Shou ndodhë një kontest në mes majorit dhe gjeneralit ushtarak, rreth asaj se a duhet të tërhiqet ushtria apo të qëndroj në fushën e betejës. Gjenerali është i mendimit se duhet të ikin,ndërsa majori mendonte se duhet të qëndrojnë. Majori e thumbon gjeneralin:“Çfarë do të shkruaj historia lidhur me këtë”? Gjenerali duke i paketuar gjërat e veta pohon: “Historia do të gënjej si rëndom. E rëndësishme është që ne do ta shkruajmë atë”? Për t’ia shkurtuar mundësinë historisë që ta paraqes gabimisht sulmin ndaj Shtëpisë Botuese Logos – A, e motivuar politikisht me mundësi interpretimi ideologjik në ta ardhmen, është e udhës që zëri i të gjithë dashamirësve të fjalës së shkruar dhe botimit të librit shqip t’i ndalojnë këto sulme të pakuptimta ndaj kësaj shtëpie botuese.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë mirënjohës për kujdesin që ka treguar Shtëpia Botuese Logos – A, në kultivimin dhe përhapjen e kulturës së leximit shqip që nga vitet e para të themelimit. Në kuadër të aksionit 100 mijë libra,për 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptarë, kjo shtëpi botuese ka dhuruar 5000 libra, botime të kësaj shtëpie, për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Vlerat janë për t’u vlerësuar. Jo gjithë çka që botohet mundë të konsiderohet vlerë. Do të qëndrojmë me Shtëpinë Botuese, Logos – A, duke qenë të bindur se po qëndrojmë prapa vlerave.

Exit mobile version