Të paktën 13 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur janë regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në Barcelonë, kur një furgon është përplasur me këmbësorët në një zonë turistike. Policia po e konsideron si sulm terrorist.
Dëshmitarë nga vendngjarja kanë publikuar foto dhe video nga momenti i tmerrit, ndërsa atje shkuan automjetet e emergjencës, pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët.
Dëshmi nga vendngjarja tregojnë se një furgon u drejtua përmes turmës së këmbësorëve, në momentin që ata kalonin nga njëri trotuar në tjetrin.
Gazeta “El Pais” njofton se drejtuesi i mjetit është larguar në këmbë pasi përplasi dhjetëra këmbësorë, ndërsa raporte të tjera thonë se dy persona të armatosur, dyshohet autorët e sulmit me furgon, kanë hyrë në një restorant pas ngjarjes së mëparshme.
Edhe pse detajet e incidentit nuk janë momentalisht të qarta, përdorimi i automjeteve për të shkaktuar panik dhe viktima në vendet e BE-së është përdorur që nga korriku i vitit 2016, në një seri sulmesh terroriste nga militantët besnik të organizatës terroriste ISIS.
Por motivet e sulmit sipas Daily Mail lidhen edhe me grafitet kërcënuese ndaj turistëve që janë parë në Barcelonë. Së paku 11 milionë turistë vizitojnë Barcelonën për cdo vit.
Në një video të publikuar nën sloganin “turizmi vret fqinjësinë”, disa individë kanë ndaluar një autobus me turistë në Barcelonë, duke shpuar gomat dhe duke vizatuar me spraj nëpër xhamat e tij.