Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sulmi izraelit ndaj uzinës së shkripëzimit në Gaza ndërpret furnizimin me ujë...

Sulmi izraelit ndaj uzinës së shkripëzimit në Gaza ndërpret furnizimin me ujë për mijëra palestinezë

Sulmi i ushtrisë izraelite të premten e kaluar ndaj uzinës së shkripëzimit të ujit Ghabayen në lagjen Al-Tuffah në lindje të Qytetit Gaza ka thelluar krizën humanitare duke ndërprerë furnizimin me ujë për mijëra palestinezë të zonës, raporton Anadolu.

Dëmtimi i këtij objekti që furnizon palestinezët me ujë dhe thellimi i krizës humanitare është pjesë e “luftës së etjes” të kryer nga ushtria izraelite kundër palestinezëve.

Sulmi erdhi për të dëmtuar uzinën e shkripëzimit të ujit duke iu shtuar katastrofës humanitare që është intensifikuar që kur Izraeli më 2 mars filloi të kufizojë hyrjen e furnizimeve thelbësore në Gaza, përfshirë ushqimin dhe ujin.

Mbyllja e pikave kufitare nga Izraeli përkeqësoi mungesën e ushqimit dhe ujit në zonë.

Duke cituar dëshmitarë okularë, gazetari i Anadolut tha se automjetet e ushtrisë izraelite përparuan në lindje të lagjes Shejaiya në pjesën lindore të Qytetit Gaza.

Ushtria izraelite ka njoftuar zgjerimin e ofensivës së saj në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke filluar nga zona e lagjes Shejaiya.

Të dielën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do t’i përshkallëzojë sulmet në Gaza derisa po bëhen përpjekje për të zbatuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga enklava.

Që nga tetori i vitit 2023, si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 50.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur m shumë se 115.680 të tjerë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version