Sulmi i ushtrisë izraelite të premten e kaluar ndaj uzinës së shkripëzimit të ujit Ghabayen në lagjen Al-Tuffah në lindje të Qytetit Gaza ka thelluar krizën humanitare duke ndërprerë furnizimin me ujë për mijëra palestinezë të zonës, raporton Anadolu.
Dëmtimi i këtij objekti që furnizon palestinezët me ujë dhe thellimi i krizës humanitare është pjesë e “luftës së etjes” të kryer nga ushtria izraelite kundër palestinezëve.
Sulmi erdhi për të dëmtuar uzinën e shkripëzimit të ujit duke iu shtuar katastrofës humanitare që është intensifikuar që kur Izraeli më 2 mars filloi të kufizojë hyrjen e furnizimeve thelbësore në Gaza, përfshirë ushqimin dhe ujin.
Mbyllja e pikave kufitare nga Izraeli përkeqësoi mungesën e ushqimit dhe ujit në zonë.
Duke cituar dëshmitarë okularë, gazetari i Anadolut tha se automjetet e ushtrisë izraelite përparuan në lindje të lagjes Shejaiya në pjesën lindore të Qytetit Gaza.
Ushtria izraelite ka njoftuar zgjerimin e ofensivës së saj në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke filluar nga zona e lagjes Shejaiya.
Të dielën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do t’i përshkallëzojë sulmet në Gaza derisa po bëhen përpjekje për të zbatuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga enklava.
Që nga tetori i vitit 2023, si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 50.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur m shumë se 115.680 të tjerë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.