Sulmi izraelit ndaj Spitalit al-Ahli është ‘sulm i qëllimshëm ndaj jetës’

Observatori Euro-Med për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se sulmi i së dielës ndaj Spitalit al-Ahli në Gaza është “pjesë e një strategjie të qartë për të zhdukur çdo mjet mbijetese duke shpërfillur mbrojtjen ligjore ndërkombëtare për civilët”.

Organizata me seli në Gjenevë tha se pretendimet e Izraelit se spitali po përdorej pjesërisht nga Hamasi “janë të pabazuara për sa kohë që nuk ka prova konkrete”.

Gjithashtu, Euro-Med theksoi se shkatërrimi i pjesëve të spitalit, si dhe “vuajtjet e rënda fizike dhe psikologjike të shkaktuara pacientëve, stafit mjekësor dhe civilëve të zhvendosur që kërkonin strehë atje, tejkalojnë çdo përfitim të pretenduar ushtarak”.

Për këtë arsye, sulmi “shkel hapur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe përbën krim ndërkombëtar që kërkon ndjekje ligjore dhe përgjegjësi”, përfundon raporti.