Sulmet izraelite kanë lënë të vrarë të paktën 32 palestinezë që nga agimi

Të paktën 32 palestinezë janë vrarë në sulmet e fundit izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore të cituara nga Al Jazeera.

Aviacioni izraelit ka goditur sot disa zona të enklavës, përfshirë spitalin al-Ahli në veri të Gazës, qytetin Deir el-Balah në pjesën qendrore dhe Khan Younis në jug.

Sulmi ndaj spitalit Baptist (al-Ahli) vjen në një kohë të ndjeshme, gjatë Ditës së Palmave (Palm Sunday), dhe është cilësuar nga autoritetet palestineze si një përpjekje për të shkatërruar jo vetëm objektet shëndetësore të mbetura, por edhe për të zhdukur praninë e fundit të komunitetit të krishterë palestinez në Gaza.

Kreu i misionit palestinez në Mbretërinë e Bashkuar, Husam Zomlot, tha se bombardimi i spitalit anglikan “nuk është një rast i izoluar”, por pjesë e një strategjie më të gjerë.

Situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet, ndërsa sulmet izraelite nuk po ndalen dhe ndërhyrja ndërkombëtare mbetet e kufizuar. /mesazhi