Sulmet e Izraelit përreth spitalit Kamal Adwan e përkeqësojnë situatën në spital

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite ndaj spitalit Kamal Adwan në veri të Rripit të Gazës, situata në spital po përkeqësohet, ndërsa dëmtohet edhe rrjeti i ujit dhe oksigjenit i spitalit, raporton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, ushtria izraelite po kryen bombardime intensive drejtuar vendeve të ndryshme të Kampit të Refugjatëve Jabalia dhe qytezës Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës.

“Provinca veriore e Gazës kaloi një natë shumë të keqe. Ushtria izraelite përdori robotë të ngarkuar me bomba në rrugët e Beit Lahia. Si pasojë e sulmit, copëzat e predhave kanë goditur spitalin dhe kanë dëmtuar rrjetin e ujit dhe oksigjenit”, tha drejtori i spitalit Kamal Adwan, Hussam Abu Safiyya për Anadolu.

Duke thënë se të sëmurët dhe të plagosurit përjetuan panik të madh për shkak të shpërthimeve, Abu Safiyya informoi se situata është shumë e keqe dhe se forcat izraelite vazhdojnë sulmet e tyre pa bërë dallim.

Abu Safiyya tha se Izraeli vendosi një bllokadë të madhe në veri të Gazës, duke penguar hyrjen e karburanteve, furnizimeve shëndetësore dhe ushqimore, dhe për këtë arsye shërbimet shëndetësore ofrohen në nivelin më të ulët në rajon.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se në sulmin e ushtrisë izraelite më 7 dhjetor përreth spitalit Kamal Adwan humbën jetën 33 persona.