Sulme ajrore në Idlib dhe Halep, të paktën 29 të vrarë

Të paktën 29 persona e kanë humbur jetën në sulmet ajrore të ndërmarra nga avionët luftarakë të ushtrisë së Sirisë në rajonet nën kontrollin e opozitarëve në Idlib dhe Halep në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Muhammed Jahja, një prej zyrtarëve të Mbrojtjes civile në Idlib në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se avionët luftarakë të regjimit kanë bombarduar vendbanimet në qendrën e qytetit Idlib si dhe ato në rajonet Maarret Nassan dhe Maarret Masrin të qytetit Idlib.

Yahja ka theksuar se si pasojë e bombardimeve të forcave të regjimit kanë humbur jetën 27 persona si dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë të cilët janë dërguar në spitalet e improvizuara.

Ndër të tjera Jahja ka shtuar se avionët luftarakë të regjimit gjithashtu kanë bombarduar edhe tregun në rajonin Etarib në Halep ku si pasojë kanë humbur jetën 2 civilë dhe janë plagosur 15 të tjerë.

Gjithashtu Jahja ka njoftuar se ekipet e Mbrojtjes civile janë duke kryer punimet e kërkim shpëtimit në mesin e rrënojave të bizneseve dhe shtëpive të shembura pranë tregut i cili u sulmua.

Që nga 15 nëntori e deri më tani numri i personave të vrarë si pasojë e sulmeve kundrejt Halepit ka arritur në 775.

Kriza njerëzore e qindra mijëra personave

Halepi është qyteti i dytë për nga madhësia pas kryeqytetit Damask. Largësia e qendrës së qytetit është 40 kilometra nga kufiri me Turqinë. Pjesën perëndimore të qendrës e kontrollon regjimi, ndërsa pjesën lindore e kontrollojnë opozitarët.

Ushtria e regjimit, Rusia dhe milicët shiitë të mbështetur nga Irani në 20 ditët e fundit kryejnë sulme të ashpra nga ajri dhe toka ndaj lagjeve të cilat ndodhen nën kontrollin e opozitarëve në lindje të Halepit.

Ndërsa Rusia pohon se nuk merr pjesë në sulmet në Halep. Përkundër kësaj opozitarët të cilët përgjojnë linjat komunikuese të regjimit, njoftojnë se rusët janë të pranishëm në çdo fazë të ofensivës tokësore në Halep.

Në Halepin lindor ku qindra mijëra civilë ndodhen nën rrethimin e regjimit që prej 3 muajsh ato nuk përmbushin dot nevojat themelore jetësore. Sulmet e ndërmarra në tre javët e fundit kanë lënë jashtë shërbimit të gjitha spitalet dhe shkollat në lindje të qytetit.

Gjithashtu për shkak të shembjes së një pjese të madhe të stacioneve bazë të antenave dhe për shkak të prerjes së linjave telefonike nga regjimi, në qytet komunikimi mund të realizohet në mënyrë të kufizuar vetëm nëpërmjet internetit.