Sulm terrorist në Mali, 22 ushtarë të vrarë

Së paku 22 ushtarë janë vrarë në një sulm terrorist në veri të Malit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët lokalë të rajonit Gao njoftuan se sulmin e kanë kryer terroristët e degës së Al-Kaedës në Mali, ndërsa objektiv i sulmit ka qenë kampi ushtarak Bamba.

Burimet e njëjta lajmërojnë se në kamp janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa druhet se bilanci i viktimave mund të jetë më i madh.

Mali nga viti 2012 është bastion i sulmeve separatiste dhe terroriste ndërsa kriza është veçmas e theksuar në brendësi dhe në veri të këtij vendi të Afrikës Perëndimore.

Shpesh herë ka përleshje të armatosura mes fiseve Dogon dhe Fulani. Të parët merren me gjueti ndërsa të dytët me blegtori.

Afër 4.000 ushtarë francezë në operacionin Barkhane si dhe 15.000 paqeruajtës të OKB-së në misionin MINUSMA gjatë shtatë viteve të fundit nuk kanë arritur të neutralizojnë kërcënimet kryesore të sigurisë në Mali.