Sulm terrorist me bombë në rajonin Bab të Sirisë, 14 civilë të vdekur

Të paktën 14 civilë kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me autobombë në rajonin Bab në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mësohet se bomba ka shpërthyer pasi ishte vendosur në një kamion në një pikë e frekuentuar intensivisht nga civilët në qendër të rajonit Bab i cili është pastruar nga terrori me operacionin “Mburoja Eufratit”.

Si pasojë e sulmit terrorist, përfshirë fëmijë dhe gra kanë humbur jetën të paktën 14 civilë dhe janë plagosur 50 të tjerë.

Ekipet shëndetësore pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, dërguan nëpër spitale personat e plagosur.

Ndërkohë që edhe ekipet e mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha) pas mbërritjes në vendin e ngjarjes kanë filluar punimet për gjetjen e civilëve nën rrënoja.

Ndërkohë shprehen shqetësime se numri i të vdekurve dhe të plagosurve mund të rritet.

Pas shpërthimit në zonë u shkaktuan dëme materiale në gamë të gjerë.

Rikujtohet se si pasojë e një shpërthimi të ndodhur një ditë më parë në një pikë kontrolli të forcave të sigurisë në qendër të rajonit Bab, humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 7 të tjerë.

Ekipet e sigurisë që kryen vëzhgimet në vendin e ngjarjes, po qëndrojnë mbi mundësinë se sulmi mund të jetë kryer nga organizata terroriste YPG/PKK.

Organizata terroriste YPG/PKK e cila vazhdon okupimin e saj në rajonet Tel Rifat dhe Munbixh, shpeshherë kryen sulme terroriste duke vendosur në objektiv rajonet Bab, Azez, Jarabulus dhe Afrin.