Sulm me bombë ndaj autokolonës së zv.presidentit afgan

Zëvendëspresidenti i parë i Afganistanit, Amrullah Saleh, është plagosur në dorë në një sulm të ndërmarrë ndaj autokolonës së tij në kryeqytetin Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tarik Aryen, në një deklaratë për shtyp tha se sulmi është kryer gjatë momentit kur automjeti zyrtar i zv.presidentit të parë Saleh po kalonte në zonën Taimani të Kabulit.

Në sulm, Saleh shpëtoi duke u plagosur në dorë dhe sipas të dhënave paraprake jetën kanë humbur 2 persona dhe janë plagosur 12 të tjerë, njoftoi Aryen.

Ndërkaq, zv.presidenti i parë Saleh në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale theksoi se “në sulm është plagosur në dorë dhe se sulme të tilla nuk do të pengojnë luftën e tij”.

Nga sulmi janë thyer xhamat e ndërtesave përreth dhe të gjitha rrugët që çojnë drejt vendit të ngjarjes janë mbyllur për trafikun.

Ndërkohë, sulmi ende nuk është marrë përsipër nga askush.