Sulm kibernetik ndaj Thesarit në SHBA, dyshohet se është kryer nga hakerët kinezë

Departamenti i Thesarit të SHBA-së

Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka qenë cak i një sulmi kibernetik, që dyshohet se është kryer nga hakerët kinezë, raporton agjencia “AP”.

Sulmi raportohet se është kryer në fillim të këtij muaji, në disa stacione pune të Thesarit, dhe se janë vjedhur dokumente.

Agjencia “Reuters” shkruan se sipas një letre drejtuar ligjvënësve amerikanë, sulmi kibernetik është kryer përmes softuerit BeyondTrust.

“Pasi ofruesi i shërbimit njoftoi Thesarin, ne kontaktuam Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) dhe punuam me organet e zbatimit të ligjit për të përcaktuar pasojat e sulmit kibernetik”, thuhet në deklaratën e Thesarit .

Thesari nuk ka dhënë detaje se sa stacione pune janë prekur dhe se çfarë lloj dokumente janë marrë. Por është vlerësuar “incident i madh i sigurisë kibernetike”.

Departamenti i Thesarit tha se mësoi për problemin më 8 dhjetor, kur një ofrues shërbimesh të softuerëve i palëve të treta, BeyondTrust, njoftoi se hakerët kishin vjedhur një fjalëkalim, duke u siguruar atyre qasje nga distanca në disa stacione pune.

Theksohet se malware është hequr dhe se “nuk ka prova që sugjerojnë se sulmuesi ka mundur të vazhdojë të aksesojë sistemet e informacionit të Ministrisë së Financave”.