Suedia përgatitet kundër agresionit rus

Suedia ka këshilluar autoritetet lokale që të përgatisin infrastrukturën dhe procedurat e mbrojtjes civile, “në rast lufte”, për shkak të shqetësimit në rritje të agresionit rus.

Agjencia e Kontigjenteve Civile e vendit skandinav, që operon nën urdhërat e Ministrisë së Mbrojtjes, i ka nisur një letër zyrtare krerëve të sigurisë në të gjithë vendin, duke i shpjeguar që duhet të jenë të përgatitur për konflikte të mundshme dhe situata të tjera krize.

Sipas të përditshmes britanike “The Independent”, kjo lëvizje besohet se është pjesë e kthimit të programit të prezantuar vitin e shkuar, “Strategjia e Mbrojtjes Totale”, në përgjigje të “përkeqësimit të situatës ndërkombëtare”.

Ringjallja e “totalförsvarsplaneringen”, Strategjia e Mbrojtjes Totale u bë publike në Dhjetor të 2015 – ës. Në rregulloren e saj thuhet se mbrojta e vendit nga agresionet e huaja duhet të përfshijë masa ekonomike dhe civile, duke aktivizuar ushtrinë.

MSB, përgjegjëse për mbrojtjen civile, sigurinë publike dhe menaxhimin e situatave të emergjencës dhe mbrojtjes civile, insiston se përgatitjet nuk nënkuptojnë se Suedia po shkon në luftë.

Kreu i saj, Magnus Dyberg – Ek, për gazetën suedeze “Svenska Dagbladet” tha se kjo letër vjen në përgjigje të rritjes së nivelit të kërcënimit.

“Ajo çka është e re është fakti se siguria në rajonin tonë është përkeqësuar, për këtë arsye ne duhet të përgatitemi në rast lufte apo konflikti. Letra u dërgua pasi autoritetet lokale kërkojnë udhëzime të qarta, që të dinë sesi duhet të sillen në situata krize”.

Ndër të tjera, Dyberg – Ek shtoi se kjo strategji nuk është e panjohur, pasi Suedia e ka përdorur atë gjatë Luftës së Ftohtë.

Kur këto masa u aprovuan fillimisht vitin e shkuar, Kryeministri i vendit, Stefan Löfven e përshkruajti sigurinë si të përkeqësuar, duke fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejt Rusinë.

“Agresioni rus dhe destabilizimi i Ukrainës përbën sfidën më serioze të sigurisë europiane që prej fundit të Luftës së Ftohtë”, tha ai para parlamentit suedez.

Më herët gjatë kësaj jave, shefi i inteligjencës në vend tha se Moska ishte burimi më i madh i sulmeve kibernetike në Suedi dhe “influenconte operacionet” kundër shtetit suedez.

Gjatë viteve të fundit, Stockholm ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se avionë të vegjël rus kanë fluturuar pranë zonave strategjike në Detin Baltik./tvklan.al