Suedia ka njoftuar se ka ndalur të gjitha dëbimet në Afganistan, për shkak të përkeqësimit të shpejtë të situatës, në vendin e shkatërruar nga lufta.
“Vendimi nis së zbatuari menjëherë dhe do të jetë në fuqi deri në njoftimin e radhës”, ka thënë Carl Bexelius, udhëheqës për çështje ligjore në Agjencinë për Migrim në Suedi.
Rreth 7,000 azilkërkues në Suedi, janë duke pritur për t’u dëbuar nga ky vend.
Agjencia ka thënë se do të pauzojë të gjitha dëbimet e planifikuara, pasi situata në Afganistan është përkeqësuar shpejt, “pas lëvizjeve të talibanëve, të cilët kanë marrë kontrollin e shumë pjesëve të këtij shteti”.
Në fillim të muajit korrik, zyrtarët afganë, u kanë bërë thirrje shteteve evropiane që të ndalin dëbimet e azilkërkuesve afganë, për të paktën tre muaj.
Finlanda ka njoftuar më herët gjatë kësaj jave se nuk do ta dëbojë askënd në Afganistan.
Afganistani po përballet me krizë të re, pas fitores së talibanëve në shumë rajone, dhe një vale të re të zhvendosjes së familjeve.
Niveli i dhunës në këtë shtet është rritur pasi forcat ndërkombëtare janë duke u tërhequr nga ky vend, pas dy dekadave.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit. /rel