Suedia do të mobilizojë anije luftarake në patrullat e NATO-s në Detin Baltik pas incidenteve të “sabotazhit”

Suedia njoftoi se planifikon të mobilizojë mjete ushtarake, përfshirë anije luftarake, në patrullat e NATO-s në Detin Baltik, pas një sërë incidentesh të dyshuara sabotazhi që kanë rritur shqetësimet e sigurisë rajonale, raporton Anadolu.

Qeveria suedeze ka zbuluar se do të kontribuojë me deri në tre anije luftarake, një avion vëzhgimi ASC 890 dhe anije dhe burime të tjera të rojes bregdetare për të forcuar praninë e NATO-s në zonë.

Katër anije të rojes bregdetare do të vendosen menjëherë, ndërsa shtatë anije shtesë do të jenë në gatishmëri.

Ky është kontributi i parë i forcave të armatosura të Suedisë në përpjekjet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, që nga anëtarësimi në aleancë në mars 2024.

Vendimi vjen mes frikës në rritje të aktiviteteve ruse në Baltik, veçanërisht pasi kablloja Estlink-2, që lidh Finlandën dhe Estoninë, u dëmtua në Krishtlindje.

Autoritetet në të dy vendet dyshojnë se dëmi u shkaktua nga cisterna e naftës Eagle S e lidhur me Rusinë, që besohet të ketë tërhequr spirancën e saj përgjatë shtratit të detit.

Kryeministri Ulf Kristersson, duke iu drejtuar një konference vjetore të sigurisë, përshkroi pozicionin e pasigurt të Suedisë në peizazhin gjeopolitik në zhvillim. “Suedia nuk është në luftë, por nuk ka as paqe”, citohet të ketë thënë Kristersson nga agjencia e lajmeve TT.

Ky veprim përputhet me strategjinë më të gjerë të NATO-s për të rritur praninë ushtarake në Detin Baltik, të shpallur nga Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte në dhjetor.

Pas miratimit të Türkiyes, Suedia dhe Finlanda iu bashkuan aleancës në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, me çka Suedinë që u bë anëtarja e 32-të e NATO-s.