Suedia do të krijojë prani në Ukrainë për prokurimin e armëve

Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson

Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson, ka deklaruar se vendi i tij dëshiron të krijojë një prani në Ukrainë duke vendosur një Administratë të Materialeve të Mbrojtjes (FMV) për të ndihmuar Kievin në blerjen e armëve, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Stokholm, Jonson tha se FMV-ja, e cila i raporton drejtpërdrejt Ministrisë së Mbrojtjes, duket se do të fillojë të krijojë një prani në vendin e shkatërruar nga lufta që në vjeshtë.

“Ne po marrim masa që Ukraina të mund të ketë qasje në pajisjet e mbrojtjes të prodhuara së fundi”, tha ministri suedez.

Ai theksoi se Suedisë dhe vendeve të tjera perëndimore po i mbarojnë armët për t’i dhuruar Ukrainës dhe se nisma do të sigurojë që mbështetja e ardhshme për Ukrainën do të jetë në një masë më të madhe në formën e donacioneve financiare për blerjen e armëve.

“Është për të intensifikuar mbështetjen për Ukrainën në një situatë ku ne do të kalojmë nga dhurimi i materialit nga magazinat e Forcave të Armatosura në prodhimin e materialit mbrojtës të prodhuar së fundi”, tha Jonson, duke shtuar se nisma duhet të bëhet pa “dobësuar aftësitë tona operacionale”.

Jonson mohoi se masat mund të nënkuptojnë një rrezik të shtuar të sigurisë për Suedinë.

“Unë e di se Rusia ndonjëherë përpiqet të frikësojë dhe kërcënojë vendet e tjera. Por masat që po marrim janë plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Është Rusia ajo që ka nisur këtë luftë të paligjshme”, shtoi ai.

Suedia i ka dërguar Ukrainës 16 paketa mbështetëse në një total prej 43.5 miliardë krona suedeze (4.2 miliardë dollarë).

Jonson gjithashtu njoftoi se legjislacioni që mundëson një Marrëveshje të Bashkëpunimit të Mbrojtjes do të hyjë në fuqi nesër.

Marrëveshja rregullon kushtet për një prani të përforcuar amerikane në Suedi dhe i jep SHBA-së mundësinë për të përdorur bazat ushtarake suedeze.