Suedi, protestë kundër masakrave të Izraelit

Në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm, është protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds si dhe masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve në kufirin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra protestues të cilët u mblodhën në sheshin “Segel Torg” brohoritën slogane kundër Izraelit dhe dhanë mesazhe në mbështetje të palestinezëve të cilët morën pjesë në “Marshimin e Kthimit të Madh”.

Protestuesit, në mesin e të cilëve ishin edhe ambasadorja e Palestinës në Stockholm Hala Fariz, zëdhënësja mediale e shoqatës “Ship to Gaza”, Jeanette Escanilla, aktivisti suedez me prejardhje hebreje Dror Feiler dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, mbanin flamuj të Palestinës dhe shpalosën pankarta me mbishkrime “Palestinë nuk je vetëm”, “Kudsi është kryeqyteti i Palestinës”, “Liri për Palestinën”.

Gjatë fjalimit në protestë, kryetarja e Grupit Suedi-Palestinë, Anna Wester tha se sapo është kthyer nga Gaza. “Jemi mbledhur kundër okupimit dhe diskriminimit racist, pra Ditës së ‘Nakba’-s të quajtur si ‘Dita e zezë’. Në ditën e ‘Nakba’-s u pushtuan shtëpitë dhe tokat e 700 mijë palestinezëve. U shpall shteti i Izraelit”, tha ajo.

Duke rikujtuar se që nga ajo ditë e deri më tani miliona palestinezë jetojnë si refugjatë, Wester thotë: “Po vazhdon politika okupuese e Izraelit. Shkollat dhe shtëpitë po rrënohen, fushat e vjetra të ullinjve po shkatërrohen. Ndërsa Kudsi Lindor është pushtuar plotësisht. Me të vërtetë gjendja është shumë e rëndë”.