Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Suedi, pasaporta e vaksinimit rrit numrin e personave që vendosin mikroçip në...

Suedi, pasaporta e vaksinimit rrit numrin e personave që vendosin mikroçip në dorë

Në Suedi është rritur numri i personave që kanë vendosur mikroçip në dorë pas njoftimit se në vend do të kaloje në zbatim pasaporta e vaksinimit kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në artikullin e gazetës “Aftonbladet” thuhet se është shënuar rritje në normën e atyre që vendosin mikroçipe në duart e tyre për shkak se, duke filluar nga data 1 dhjetor në vend do të kërkohet pasaporta e vaksinimit në aktivitetet ku ka më shumë se 100 pjesëmarrës.

Hannes Sjöblad, në deklaratën e tij për gazetën tha se ka vendosur në dorën e majtë të tij mikroçipin ku ndodhet pasaporta e vaksinimit. “Pas marrjes së celularit në dorën e majtë të gjitha informacionet lidhur me COVID-19 reflektohen në celular”, tha Sjöblad, duke thënë se ky është një trend i ri dhe se është popullor në mesin e suedezëve.

Edhe Olle Helkimo tha se çipin e ka vendosur në dorën e majtë dhe se në këtë mënyrë ndjehet kategorikisht më i shëndetshëm.

Rreth 6.000 suedezë kanë vendosur mikroçip

Ndërkohë Moa Petersen hulumtuese e kulturës dixhitale tha se deri më tani në Suedi 6.000 persona kanë vendosur çip në dorën e tyre.

Ajo theksoi se ata që kanë vendosur çip falë Teknologjisë së Identifikimit me Frekuencë Radio (RFID) tashmë nuk mbajnë më me vete pasaportë vaksinimi, çelës, kartë identiteti dhe madje as biletë treni.

Petersen tërhoqi vëmendjen se kjo situatë ka shkaktuar reagim të madh në botën e jashtme por pavarësisht reagimeve suedezët kanë besim të lartë në teknologji.

Kompania e hekurudhave shtetërore të Suedisë (SJ) në vitin 2017 njoftoi se kanë filluar në aplikimin e leximit të biletave me mikroçip si rezultat i rritjes së numrit të personave që vendosin mikroçip në duart e tyre. /aa

Exit mobile version