Suedi, ezani lejohet me altoparlant në pesë kohët e namazit

Lejohet këndimi i ezanit me altoparlant në pesë kohët e namazit në xhaminë me minare të Shoqatës Kulturore Islame që i përket boshnjakëve në qytetin Karlskrona, në rajonin Blekinge të Suedisë. Personat e ardhur në xhami para xhumasë kanë dëgjuar të përlotur teksa ezanin e parë me altoparlant e ka kënduar përpara namazit të xhumasë kryetari i Shoqatës Kulturore Islame, Abdulrahman Tamarji, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, Tamarji, tha se në Suedi kanë marrë leje për herë të parë për këndimin e ezanit me altoparlant në pesë kohët e namazit, por se aktualisht këtë leje do ta përdorin vetëm para namazit të xhumasë.

“Lejen për ezanin do ta përdorim para namazit të xhumasë vetëm një herë në javë. Për shkak se xhamia jonë ndodhet brenda lagjes nuk e di se çfarë reagimesh do të marrim. Mendojmë që me kalimin e kohës të bëjmë vlerësimet dhe të veprojmë sipas saj. Nderi i këndimit të ezanit me altoparlant më takoi mua. Jam shumë i emocionuar dhe i ngazëllyer”, është shprehur ndër të tjera Tamarji.

Duke theksuar se në rajonin Belkinge të Suedisë për herë të parë ka një xhami me minare, Tamarji ka theksuar se 5 vite më parë aplikuan për ndërtimin e minares në bashki dhe se leja e ndërtimit doli 50 ditë më parë. Duke rikujtuar se minaren e kanë ndërtuar brenda një muaji, Tamarji ka nënvizuar se minaren e kanë dizajnuar plotësisht sipas stilit osman.

Ezani i parë me altoparlant në Suedi u këndua katër vite më parë në xhaminë Fittja Ulu të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), e cila ndodhet në lagjen Fittja në rajonin Botkyrka në Stockholm. Në xhami që prej vitit 2013 këndohet ezani me altoparlant para namazit të xhumasë.