Stuhia “Herminia” ka shkaktuar reshje të dendura të shiut dhe erëra të forta në të gjithë Italinë dhe Francën, duke shkaktuar përmbytje të shpejta, rrëshqitje dheu dhe pengesa të tjera, raporton Anadolu.
Autoritetet franceze mbrëmë lëshuan alarme për tre provinca ndërsa shërbimet italiane të urgjencës kanë reaguar ndaj dëmeve në shumë rajone. Qyteti francez Rennes ka përjetuar përmbytje të mëdha, duke i detyruar banorët të evakuohen.
Stuhia ka sjellë shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta në Francën perëndimore, ku rajonet Ille-et-Vilaine, Morbihan dhe Loire-Atlantique përballen me situatë më alarmante për shkak të rritjes së nivelit të ujërave dhe përmbytjeve.
Meteo France raportoi se erërat e forta që arrijnë deri në 110 kilometra në orë goditën zonat bregdetare ndërsa lumenjtë Vilaine dhe Seiche tashmë kanë vërshuar.
Rajone të tjera, përfshirë Charente-Maritime, Cotes-d’Armor dhe Gironde, mbeten nën alarm për shi të dendur, erë dhe stuhi të mundshme. Përpos stuhisë aktuale, një stuhi e re në Atlantik, e quajtur “Ivo”, po lëviz drejt rajonit, duke përkeqësuar kushtet.
Meteorologët parashikojnë vazhdimin e reshjeve të dendura deri në mesjavë ndërsa në fundjavë pritet të ketë një përmirësim të kushteve.
– Edhe Italia përballet me përmbytje, rrëshqitje të dheut
Në Itali, rajonet Toscana dhe Liguria janë prekur veçanërisht nga stuhia “Herminia”.
Rrugët dhe nënkalimet në Firence u zhytën në ujë për shkak të përmbytjeve të shpejta ndërsa shembja e një muri në Genova shkaktoi reagim të shpejtë të ekipeve të emergjencës për t’u siguruar që askush të mos mbetej i bllokuar nën të, njoftuan mediat italiane.
Një rrëshqitje dheu bllokoi rrugën midis komunave Busalla dhe Mignanego ndërsa shërbimi italian i zjarrfikësve raportoi se janë dëmtuar shumë automjete. Strehimore të urgjencës janë organizuar në Genova për banorët e prekur nga stuhia.
Përmbytje, dëme dhe rrugë të bllokuara janë raportuar edhe në rajonin Friuli-Venezia Giulia.
Ndërkohë, në rajonel alpine janë regjistruar reshje të mëdha të borës, veçanërisht përgjatë autostradës Brenner.
Agjencia e Mbrojtjes Civile në Itali vazhdon të monitorojë nivelet e lumenjve, me lumin Sieve në Toskanë që ka arritur nivel alarmant. Autoritetet paralajmërojnë për përmbytje të mëtejshme të mundshme në Italinë perëndimore dhe veriore ndërsa reshjet e dendura vazhdojnë.
Autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të informuar për kushtet e motit dhe rrugëve, duke paralajmëruar për kushtet e rrezikshme të udhëtimit të shkaktuara nga erërat e forta, shiu i dendur dhe bora.