Stuhia e fortë shkakton viktima në Stamboll

Një stuhi e fuqishme ka goditur Stambollin dhe pjesë të tjera të Turqisë të hënën, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke shkaktuar dëme të shumta në qytetin me 15 milionë banorë.

Një grua u vdiq në lagjen Esenyurt të Stambollit, ku erëra të forta shkatërruan një pjesë të një çatie e cila ra mbi gruan dhe fëmijën e saj, njoftoi agjencia shtetërore turke Anadolu. Fëmija mbijetoi porse me lëndime të ndryshme.

Zyra e kryetarit të qytetit të Stambollit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga stuhia në këtë qytet, duke përfshirë një shtetas të huaj. Nëntëmbëdhjetë persona u plagosën, duke përfshirë tre persona të cilët ishin në gjendje të rëndë, u tha në njoftim.

Stuhia shkatërroi një sahatkullë si dhe hoqi 33 çati të objekteve të ndryshme, shkuli 192 pemë, rrëzoi 52 semaforë dhe shenja rrugore dhe dëmtoi 12 makina, konfirmuan institucionet turke.

Bosfori, rruga e ngushtë ujore që ndan qytetin, u mbyll për trafikun detar dhe shërbimet e trageteve u anuluan.

Të paktën gjashtë fluturime të Turkish Airlines të planifikuara për t’u ulur në Stamboll u devijuan në qytetet e tjera si në Ankara dhe Izmir, tha një zëdhënës i linjës ajrore.

Erërat e forta gjithashtu detyruan autoritetet të anulojnë shërbimet e trageteve midis vendpushimeve bregdetare të Bodrumit dhe Datca-s, njoftoi agjencia private e lajmeve DHA. /rel