97 persona kanë humbur jetën gjatë një stuhie të dhunshme pluhuri në Indi. Janë registruar ndër të tjera dhe shumë të plagosur si dhe dëme të konsiderueshme materiale dhe në gjënë e gjallë. Ndërkohë, shteti indian ka reaguar duke premtuar dëmshpërblim për viktimat.
India veriore është goditur nga një stuhi e fuqishme pluhuri që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 97 personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve. Ndërkohë që ky fenomen natyror është i zakonshëm në Indi gjatë periudhës së verës, një numër i tillë viktimash është i padëgjuar më parë.
Përveç dëmeve në njerëz, stuhia ka shkaktuar dhe dëme në bagëti, ka sjellë shkatërrimin e shumë shtëpive, shkëputje të energjisë elektrike etj.
Shumë prej viktimave ndodheshin në gjumë kur shtëpitë u shembën duke i zënë brenda pas vetëtimave të fuqishme.
Qeveria e Indisë ka reaguar duke e quajtur fenomenin “një incident fatkeq” dhe ka deklaruar se familjet e viktimave do të dëmshpërblehen me rreth 6000 dollarë./oranews