Stuhi e madhe e borës në Gjermani, anulohen udhëtimet

Stuhi bore dhe erëra të forta kanë goditur sot Gjermaninë Veriore dhe atë Perëndimore, duke detyruar që trenat të anulonin udhëtimet dhe duke çuar në qindra përplasje automjetesh, transmeton Indeksonline.

Policia ka njoftuar se 28 persona u plagosën në 222 aksidente rrugore, pasi rrugët ishin të rrëshqitshme, shkruan The globe and mail.

Shërbimi gjerman i motit, DWD, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi teksa edhe autoritetet u përkujdesën për strehimin e njerëzve të pastrehë.

Ndërsa në rajonin e Muensterlandit dhe Westphalias, autoritetet ndaluan kamionët të qarkullonin në autostrada deri në orën 8.

Ndeshja e futbollit në Bundesliga midis Arminia Bielefeldit dhe Werder Bremenit u ndërpre disa orë para fillimit, për shkak të stuhisë së borës.