Studentja turke e doktoraturës në Universitetin Tufts arrestohet nga agjentët kufitarë të SHBA-së

Studentja e doktoraturës në Universitetin Tufts, Rumeysa Ozturk, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit jashtë qytetit të Bostonit, transmeton Anadolu.

Shtetasja turke u arrestua më 25 mars nga agjentët e Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE) pranë shtëpisë së saj në Somerville derisa po shkonte për një darkë iftari.

“Rumeysa Ozturk është një shtetase turke që mbante statusin e vlefshëm F-1 si studente doktorature në Universitetin Tufts. Rumeysa po shkonte për t’u takuar me miqtë kur ajo u ndalua nga agjentët e DHS-së (Departamenti i Sigurisë Kombëtare). Ne nuk jemi në dijeni të vendndodhjes së saj dhe nuk kemi mundur të kontaktojmë me të”, tha avokatja e saj, Mahsa Khanbabai.

Arrestimi i studentes turke pason një fushatë nga ‘Canary Mission’, një faqe interneti pro-izraelite që fut në listën e zezë studentët dhe aktivistët pro-palestinezë. Në vitin 2024, Ozturk ishte bashkë-autore e një shkrimi në gazetën e Universitetit Tufts, duke kërkuar nga shkolla të pranojë atë që ajo e përshkroi si gjenocid palestinez dhe të largohej nga kompanitë me lidhje me Izraelin.

Arrestimi i saj gjithashtu vjen në mes të goditjes së gjerë të administratës së presidentit Donald Trump ndaj studentëve dhe akademikëve pro-palestinezë, duke përfshirë aktivistin palestinez dhe të diplomuarin në Universitetin Columbia, Mahmoud Khalil, si dhe studiuesin në Universitetin Georgetown, Badar Khan Suri.

Administrata amerikane ka akuzuar Khalilin dhe studentë të tjerë pro-palestinezë për përfshirje në “aktivitete të lidhura me Hamasin”, edhe pse nuk është ofruar asnjë provë.

Një video virale kapi momentet e ndalimit të studentes Ozturk, që tregon agjentët e ICE-së duke e vënë atë në pranga pavarësisht se ajo nuk rezistoi. Ozturk dëgjohet duke folur me nënën e saj në telefon në gjuhën turke, duke thënë “mami, më duhet ta mbyll telefonin”.

Sipas avokates së studentes, asnjë akuzë nuk është ngritur kundër saj. Khanbabai tha se ajo ka paraqitur një peticion duke kërkuar që Ozturk të mos zhvendoset nga Distrikti i Massachusetts-it. Mbrëmë vonë, gjykatësja Indira Talwani pranoi peticionin.

Universiteti Tufts, në një postë elektronike drejtuar studentëve, tha se shkolla mori raporte për një student të diplomuar ndërkombëtar që u arrestua nga autoritetet federale, pa bërë të ditur një emër.

“Universiteti nuk kishte njohuri paraprake për këtë incident dhe nuk ndau asnjë informacion me autoritetet federale përpara ngjarjes,” tha në kreu i Universitetit Tufts, Sunil Kumar, duke shtuar se “nga ajo që na është thënë më pas, statusi i vizës studentore është ndërprerë dhe ne kërkojmë të konfirmojmë nëse ky informacion është i vërtetë”.

Shkolla tha se po ndihmon studenten Ozturk me burime ligjore.

“Në përputhje me protokollin universitar, Zyra e Këshillit të Universitetit do të ndihmojë në lidhjen e studentes me burimet e jashtme ligjore nëse individi kërkon ndihmën tonë”, thuhet në njoftimin e universitetit.

Ozturk mbetet e listuar në bazën e të dhënave të ICE-së si “në paraburgim”, ndërkohë kjo agjenci federale nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me çështjen.