Qindra studentë protestues janë mbledhur në sheshin Beinecke të Universitetit Yale në shenjë kundërshtimi ndaj vizitës së ardhshme të ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste të djathta. Ai pritet të mbajë një fjalim në Shabtai, një shoqatë hebraike pranë universitetit.
Sipas gazetës Yale Daily News, rreth 200 studentë morën pjesë në protestë dhe ngritën tetë çadra në shesh. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë qindra studentë duke brohoritur “Nuk do të ndalemi, nuk do të pushojmë. Zbulo, tërhiqu”, duke kërkuar që universiteti të pozicionohet kundër luftës në Gaza.
Turmat u shpërndanë mbrëmjen e së martës, por organizatorët premtuan se do të rikthehen me një tjetër protestë gjatë ditës së sotme.
Ben-Gvir, i cili ka kërkuar publikisht dëbimin e palestinezëve nga Gaza, do të mbajë një fjalim në Shabtai sonte. Kjo është vizita e tij e parë në SHBA që prej emërimit si ministër i sigurisë kombëtare në Izrael.
Protestat në Yale ndodhin një vit pasi policia arrestoi gati 50 studentë të universitetit për ngritjen e një kampi proteste, ku ata kërkonin që institucioni të tërhiqej nga çdo investim në kompani që prodhojnë armë dhe që mund të furnizojnë ushtrinë izraelite.
