Mijëra studentë u mblodhën të mërkurën para zyrës së kryeprokurores së Serbisë në Beograd, për të kërkuar drejtësi për 15 të vdekurit në shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi-Sad muajin e shkuar.
Në hyrje të objektit të Prokurorisë Publike, ata vendosën letra me të cilat i bënë thirrje kryeprokurores, Zagorka Dollovac, që të ngrihet për ligj e drejtësi, pa abuzim politik e korrupsion.
Njëri nga pjesëmarrësit në protestë e kritikoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për deklaratën e dhënë ditë më parë se u ka dhënë përgjigje kërkesave të studentëve, që për disa javë radhazi protestojnë nëpër rrugë të Beogradit.
“Ka disa ditë që presidentin dhe kryeministrin i shohim nëpër medie, tek thonë se kërkesat tona janë përmbushur. Sikur kjo të jetë e drejtë e tyre apo sikur dikush t’ua ketë kërkuar atyre që t’i përmbushin këto kërkesa. Kompetente në Serbi për t’i përmbushur kërkesat tona është veç Prokuroria dhe ne do të qëndrojmë këtu krejt, derisa kërkesat të na plotësohen”, tha Aleksandar Novoviq, student.
Studentët në Universitetet e Serbisë ka disa javë që bllokojnë rrugë në kërkim të llogaridhënies për ngjarjen e 1 nëntorit në Novi-Sad, kur streha e objektit të porsarinovuar të stacionin hekurudhor u shemb.
Ata kanë ngritur dyshime se shembja ka ndodhur shkaku i korrupsionit të gjerë në Serbi dhe punës jocilësore e të ngadaltë në rinovimin e objektit, që ka qenë pjesë e projekteve ndërtimore, në të cilat janë angazhuar kompani kineze.
Lidhur me rastin, janë arrestuar 13 persona, përfshirë një ministër i Qeverisë. Lirimi i tij pak kohë pas arrestimit nxiti shqetësime rreth ndershmërisë së hetimit. Protestave të nisura nga studentët mbështetje iu ofruan edhe profesorët, fermerët, aktorët dhe qytetarë të shumtë.