Një grup studentësh që po kundërshtojnë funksionalizimin e kishës në kampusin universitar u kanë bërë ftesë të gjithë studentëve dhe profesorëve të UP-së, që sot t’i bashkohen në nismën për funksionalizimin e kishës që është ndërtuar gjatë masave të dhunshme të Serbisë në Kosovë, duke e kthyer atë në shërbim për studentët.
Studentët kanë krijuar një profil në Facebook me emrin “Uniteti”, përmes së cilës u kanë bërë thirrje studentëve që të hënën në orën 12:00, “të lexojnë në hapësirën e kishës, të bashkuar e në unitet, për Universitet”.
“Një hapësirë brenda kampusit të universitetit tonë po rrezikohet me politika jashtë universitare. Funksionalizimi i një objekti fetar, me gjithë vijimësinë e kundërshtisë nga studentët që nga fillimi i ndërtimit të saj, mbetet i papranueshëm për ne. Ne thellësisht besojmë se çdo cep i hapësirës universitare duhet të përdoret për të vetmet qëllime: nevojat e studentit, dijes e shkencës”, thuhet nga ata, që më tej shtojnë se “Hapësirat e universitetit duhet të përdoren nga studentët e për studentët”.