Ballina Lajmet Kosovë Studentët e mirëpresin vendimin e Qeverisë për heqjen e pagesave në arsimin...

Studentët e mirëpresin vendimin e Qeverisë për heqjen e pagesave në arsimin e lartë publik

Studentët e arsimit të lartë publik më nuk do të kenë detyrime financiare në nivelin Bachelor dhe Master duke filluar nga 1 tetori 2021, kjo pasi që Qeveria e Kosovës më 17 shtator ka marrë vendim që të gjitha pagesat në këto dy nivele të studimit të hiqen.

E një gjë të tillë e mirëpriten edhe studentët të cilët thonë se kjo masë e ndërmarr nga Qeveria ua ka lehtësuar shumë studimet, duke marrë parasysh faktin se gjendja e tyre ekonomike nuk është e mirë.

Studentja Arbresha Beqiri ka thënë për Telegrafin se ky është një lehtësim tejet i madh për ta.

“Vendimi që është marr prej Qeverisë këto kohët e fundit në lidhje me pagesat për ne studentët e të gjithë niveleve të universitetit publik ka qenë njëri prej vendimeve më të mirëpritura prej neve si student, duke marrë parasysh situatën me COVID-19 dhe secili prej neve e ka pasur një periudhë të vështirë sidomos ne studentët. Ky është një lehtësim tejet i madh për neve”, tha Beqiri.

E si përparësi më të madhe këtë gjë po e shohin studentët e nivelit të studimeve Master, për shkak se të njëjtit kishin më shumë obligime me pagesa ndaj universitetit.

“Tash e kemi më lehtë për arsye se në nivelin Master, pagesa e semestrit është 150 euro kështu që largimi i kësaj pagese na jep hapësirë më të madhe që këto para mund t’i vendosim diku tjetër si për shembull në literaturë edhe në blerjen e librave të ndryshme”, tha Erzen Hyseni, student i nivelit Master në UP.

E si një ndihmesë të madhe për studentët të cilët studiojnë në këtë institucion e shohin edhe përfaqësues të organizatave studentore.

Sipas kryetarit të organizatës “Paqja Studentore”, Fatlind Azizit kjo është një gjë shumë e mirë për shkak se studentët duhet të ndihmohen në çdo mënyrë ekonomike.

“Kryesisht ndihma më e madhe do të jetë për studentët e nivelit Master, ndërkaq për studentët e nivelit Bachelor pagesa ka qenë pak simbolike. Megjithatë, studentët gjithmonë kanë nevojë të jenë sa më shumë të ndihmuar ekonomikisht”, tha Azizi për Telegrafin.

Kurse Erëblin Hoxha kryetar i Parlamentit Studentor mendon që pas heqjes së këtyre pagesave do të ketë edhe interes më të madh për të studiuar në UP.

“Duke e pasur parasysh faktin që kur diçka është falas, ka gjithmonë interesim më të lartë për këtë arsye ka me pas edhe interesim më të madh por besojmë se do të ketë edhe studentë të cilësisë më të lartë që do të pranohen në Universitetin e Prishtinës”, pohoi Hoxha.

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë bërë të ditur se duke filluar nga 1 tetori i vitit akademik 2021 arsimi i lartë publik në Kosovë, në nivelin Bachelor dhe Master do të jetë pa pagesë, ndërkaq në nivelin e Doktoraturës do të ketë lehtësime.

Exit mobile version