Pyetje:”A lejohet strehimi i zullumqarëve me qëllim që ti shmangen drejtësisë?”
Dr. Mes’ud Sabri
Përgjigje:”Të strehosh një zullumqar dhe kriminel, me qëllim që ti shmanget ligjit dhe drejtësisë është haram, madje konsiderohet nga gjynahet e rënda. Kushdo që fsheh një njeri që ka bërë padrejtësi, ai konsiderohet bashkëpunëtor me të në gjynah. Por, para se të akuzojmë dikë për padrejtësi duhet të sigurohemi mirë nëse është i tillë. Raste të tilla duhet ti paraqiten një gjykate të drejtë dhe asnjanëse, pasi nuk lejohet dënimi i njerëzve bazuar në shpifje dhe thashetheme. Në raste të tilla, duhen bërë hetime të thella për të vërtetuar akuzat ose pafajësinë e të akuzuarve. Nëse vërtetohet se janë përfshirë në vepra të dënueshme dhe korruptive, fillimisht merren masa që personave të dëmtuar tu kthehen të drejtat, mandej, të akuzuarit të vihen para drejtësisë.
Thotë dr. Mes’ud Sabri:
Padrejtësia dhe çdo e ligë tjetër që dëmton njerëzimin, është e ndaluar. Thotë Zoti në Kuran:“Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin. Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!” (Bekare, 204-206)
Në shumë ajete të Kuranit, deklarohet dënimi që i pret këta njerëz.
“(Engjëjve do t’u thuhet): “Mblidhini njerëzit zullumqarë, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!” (Saffat, 22-23)
Bazuar në këtë, strehimi i zullumqarëve për ti shpëtuar ligjit dhe dënimit është haram dhe radhitet tek gjynahet e rënda. Thotë Zoti në Kuran:”
“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” (Hud, 113)
“Dhe mos u bëj mbrojtës i tradhtarëve!” (Nisa, 105)
Transmeton imam Muslimi se Ali ibnu Ebi Talib ka thënë:”E kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Zoti e ka mallkuar atë që bën zullume, ose fsheh një zullumqar.”
Thotë Ibnu Tejmije:”Kushdo që strehon një armik lufte, të rrezikshëm, hajdut, një të dënuar, një person që ka shkelur urdhrat e Zotit apo i ka hyrë në hak ndonjë njeriu, duke e mbrojtur nga forca e ligjit, ai konsiderohet bashkëpunëtor dhe hyn tek mallkimi i Zotit dhe i të dërguarit të Zotit.” (Mexhmu’ul fetave, 28/323)
Thotë shejh ibnu Uthejmin:”…kushdo që strehon një kriminel, e ndihmon dhe përkrah që t’ia hedhë drejtësisë, ai është i mallkuar, madje konsiderohet më i rrezikshëm se vetë krimineli.”
Strehimi i një zullumqari është në kundërshtim me porositë dhe urdhrat e Profetit a.s, i cili urdhëron që ai ti dorëzohet drejtësisë, të gjykohet dhe të vuajë dënimin për krimin e bërë. Transmeton Hudhejfe se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Betohem në Atë që ka shpirtin tim në dorë, duhet të urdhëroni për mirë dhe të ndaloni nga e keqja. Përkundrazi Zoti mund t’ju dërgojë një ndëshkim, do e lusni dhe nuk do u përgjigjet.” (Tirmidhij)
Strehimi i zullumqarëve dhe keqbërësve është kontribut për ndëshkimin e Zotit. Transmeton Buhariu se Profeti a.s u zgjua një ditë nga gjumi, me fytyrën e skuqur dhe thoshte:”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, mjerë arabët për të keqen që i pret. Sot është hapur një vrimë tek diga e Jexhuxh Maxhuxhëve.” Dikush e pyeti:”A mund të ndëshkohemi, edhe pse në mesin tonë ka akoma njerëz të mirë o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s u përgjigj:”Po, nëse shtohet e liga.”
Nëse kjo vlen për hajdutët dhe kusarët e rrugës, të cilët plaçkitin njerëzit dhe mallin e tyre modest, çfarë mund të themi për ata që vjedhin vullnetin e popujve të tyre, pronat si dhe pasuritë shtetërore, duke i lënë njerëzit në fukarallëk të skajshëm? Padyshim që një zullum i tillë është më i rëndë tek Zoti. Nëse ndëshkimi i lartpërmendur vlen për ata që strehojnë kriminelët ordinerë, padyshim që ndëshkimi i satrapëve dhe diktatorëve do të jetë më i madh.
Strehimi i kriminelëve dhe zullumqarëve ka disa pasoja, ndër të cilat:
1 – Shkuarja dëm e gjakut të pafajshëm që këta katilë kanë derdhur. Në islam është e papranueshme diçka e tillë. Një vepër e tillë bie ndesh me dispozitat e sheriatit, sipas të cilit gjakderdhësi duhet dënuar, ose me vdekje, ose duke paguar dëmshpërblimin, në rast se vrasja është bërë pa dashje.
2 – Konsiderohet si mbështetje për plaçkitësit e pasurive të njerëzve dhe popullit. Mbështetja dhe ndihma për një vepër haram, është haram.
3 – Shihet si stimul dhe nxitje për zullumqarët që të vazhdojnë në atë rrugë. Kështu përhapet padrejtësia dhe forcohet diktatura.
4 – Strehimi i zullumqarëve është një traditë e keqe, pasi strehuesi mban barrën e kësaj vepre penale të tij, si dhe të tjerëve që do e imitojnë. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kushdo që shpik një traditë të keqe, ai do të mbajë barrën e tij dhe të atyre që do e ndjekin gjer ditën e Kiametit.”
Prandaj, me sheriat dhe norma fetare, çdo zullumqar duhet tu dorëzohet organeve gjyqësore, me qëllim që të marrë dënimin e merituar për veprat dhe shkeljet e rënda.
Akuza për zullum pa prova
Vlen të theksojmë se konsiderohet vepër e rëndë akuzimi i të tjerëve padrejtësisht. Prandaj, kërkohen fakte dhe argumente nëse e akuzojmë dikë si zullumqar dhe keqbërës. Në raste të tilla, ose duhen dëshmitarë ose çështja i besohet gjykatës së drejtë. Nuk lejohet që njerëzit të dënohen dhe akuzohen pa fakte, thjesht nga thashethemet. Nëse vërtetohet përfshirja e të akuzuarve në akte penale, atëherë duhet bërë çmos që njerëzve tu kthehen të drejtat, kurse zullumqarët të shkojnë para drejtësisë. Kushdo që strehon zullumqarët, është bashkëfajtor në gjynah.
Zoti e di më mirë.