Si ka mundësi që me muaj të tërë të marrin gjithë vëmendjen mediale disa dhjetëra shqiptarë që po pretendojnë se po e ndërrojnë fenë (fundi-fundit, ata prapë janë pjesë e komunitetit shqiptar), e të mos flitet fare për mijëra femra katolike e myslimane shqiptare që për 1.000 euro po martohen me sllavë ortodoksë (serbë, maqedonas e malazezë), duke humbur fe, identitet dhe gjurmë shqiptare përgjithmonë?!
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Një dozë e pakontrolluar e urrejtjes ndërshqiptare një kohë të gjatë po përhapet gjithandej trojeve tona, në veçanti në Kosovë, përmes hapësirave të ndryshme publike-mediale. Të pavetëdijshëm për pasojat e pariparueshme në shëndetin tonë kombëtar, këta kasnecë të urrejtjes, fyerjeve, smirës e xhelozisë, nuk zgjedhin formë dhe trajtë pa sharë e ofenduar sivëllezërit e një gjaku, veç pse kanë bindje të tjera fetare nga të tyret!
Ata, në emër të shqiptarizmit, hapur shfaqin urrejtje ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë, duke fyer themelet e besimit islam dhe personalitetin e profetit Muhamed, udhëzimet e të cilit i ndjekin jo vetëm se mbi 80 për qind e shqiptarëve në Ballkan, por edhe rreth dy miliardë popullsi e globit.
Të tillët janë në kundërshtim të plotë jo vetëm se me traditat kombëtare të shqiptarëve, ku respekti ndaj tjetrit është i pamatshëm, por janë në kundërshtim të thellë edhe me vetë parimet e krishterimit, ku ata trumbetojnë rikthimin (“në fenë e të parëve”). Përhapësit e urrejtjes, që rendom përbëjnë pakicën, janë më të urryerit nga shumica e komunitetit që kanë një nivel të duhur kulturor, intelektual dhe para së gjithash njerëzor.
Rikujtojmë se në librin e shenjtë të krishterëve, Bibël, fjala “urrejtje” përmendet mbi 100 herë, në konotacione të ndryshme, ndërsa vetë Krishterimi, sikurse edhe të gjitha besimet monoteiste, të njohura si abrahamike, predikojnë paqe në mendjet dhe zemrat e njerëzve, duke i larguar ata nga urrejtja dhe smira ndaj njëri-tjetrit. “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mateu 5:44).
Ja, pra, sa porosi domethënëse jep Bibla për besimtarët e vet dhe njerëzimin, në përgjithësi, sikurse edhe Kurani dhe librat tjerë të shenjtë. Atëherë, vallë përse njerëzit nuk lidhen në këto predikime pozitive të religjioneve, por gjithnjë ndjekin disa ekstreme që realisht nuk i bëjnë mirë asnjë komuniteti etnik dhe asnjë besimi fetar?!
Për fat të keq, sikurse të krishterë të caktuar, po ashtu edhe myslimanë të caktuar, po i harrojnë këto porosi shumë domethënëse hyjnore kundër urrejtjes dhe të keqes. Prandaj, të gjithë shpërndarësit e urrejtjes me gojët e tyre të liga, po i rikujtojmë edhe me një profeci të krishterë, që predikon qartë dhe zëshëm: “Unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur” (Bibël, Fjalët e urta 8:13). Ngjashëm na mëson edhe profecia islame kur na udhëzon: “Kurrsesi, urrejtja që keni ndaj disa njerëzve nuk duhet t’ju shtyjë të bëheni të padrejtë”. (Kuran, 5:8).
Ekstremet fetare
Në fakt, ekstremet gjithmonë kanë çuar në prishjen e ekuilibrave të ndërtuara shoqërore, me shumë mund dhe sakrifica të gjeneratave të mëhershme. Në kohën e sotme, kur njerëzimi po përballet me një liri absolute, e cila po kthehet në një kaos të paparë në të gjitha dimensionet e jetës, qesin kryet ekstremet, të cilat rëndom vijnë nga agjenda të huaja e të fuqishme, të cilat dëshirojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre kulturor ose politik.
Rëndom, çdo aksion ndiqet nga një reaksion. Një ekstrem, në njërën anë, ringjall reagimin e një ekstremi të anës tjetër! Predikimi i feve në trojet tona shpeshherë është bërë nga njerëz të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm për fuqinë e fjalës publike. Ka pasur hoxhallarë e priftërinj që kanë fyer ndjenjat fetare brenda komunitetit gjuhësor shqiptar, duke acaruar raportet brendashqiptare pa asnjë pikë nevoje. Sikurse ka pasur ateistë, që kanë fyer dhe vazhdojnë të fyejnë ndjenjat fetare të bashkëkombësve të tyre shqiptarë. Sikurse të parët, sikurse të dytët, sikurse të tretët, njësoj janë fajtorë për këtë gjendje të padurueshme të krijuar brenda hapësirës publike shqiptare, veçanërisht në Kosovë, duke tentuar ta rrënojnë harmoninë e mrekullueshme ndërfetare, që e kanë krijuar gjeneratat tona të mëhershme, të cilave ua kanë marrë lakmi e gjithë bota.
Është thënë miliona herë që liria e besimit në fe të caktuar, sikurse edhe liria e mosbesimit në asnjë fe, është e drejtë themelore e çdo individi, derisa ajo e drejtë nuk keqpërdoret për ta cenuar lirinë e tjetrit. Kur ndodhë cenimi i lirisë së bindjes individuale, me të duhet të merren organet e drejtësisë së shtetit.
Për fat të keq, komuniteti i ri i “myslimanëve” shqiptarë, që kohën e fundit me pompozitet po deklarojnë konvertimin në fenë krishtere nëpër disa kisha katolike të Kosovës, është me gojën plot fyerje e urrejtje publike jo vetëm se kundër të djeshmes së tyre, por edhe kundër shumicës së bashkëkombësve shqiptarë që vazhdojnë të ndjehen mirë dhe rehat në fenë e tyre islame, të trashëguar nga disa gjenerata, gjyshër e stërgjyshër. Gjuha e shumicës së tyre është krejt helm e pelin, përçarëse dhe grindavece, e padenjë për konsum publik. Është e çuditshme, e gërditshme dhe e pafalshme që kaq shumë vëmendje u jepet njerëzve të tillë nëpër mediat tona.
U surprizova për të mirë nga një prift katolik shqiptar, shumë i arsyeshëm, i cili me të drejtë kishte deklaruar se “ata që urrejnë të tjerët nuk e kanë vendin në mesin e besimtarëve të krishterë”. Realisht, në këtë frymë do të duhej të ishte edhe përgjigjja zyrtare e Kishës Katolike (Ipeshkvisë së Kosovës) ndaj të gjithë atyre që, në emër të lirisë së besimit, i lëndojnë ndjenjat e të tjerëve, në rastin konkret ndjenjat fetare të shumicës absolute islame shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Soji i tyre, që thirret në emër të shqiptarisë, me apo pa vetëdije, e sulmon atomin kryesor që e mban lidhur kombin shqiptar – harmoninë ndërfetare. Prandaj, zëri autoritativ zyrtar i klerit fetar, patjetër do të duhet të dëgjohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Konvertimet VS martesat me sllavë!
Për ta thyer kakofoninë e krijuar nga tipat e “Grupit të Deçanit”, dëshiroj që gazetarët patriotë shqiptarë, veçanërisht ata në Kosovë, që po u japin aq shumë hapësirë shpërndarësve të urrejtjes, të sfidohen me një pyetje të thjeshtë: cili është dëmi më i madh që po i bëhet shqiptarisë në sytë tanë – shitja e mijëra femrave shqiptare për burra sllavo-ortodoksë (serbë, maqedonas e malazezë) apo konvertimi i dhjetëra myslimanëve shqiptarë në katolikë shqiptarë?! Si ka mundësi që me muaj të tërë të marrin gjithë vëmendjen mediale disa dhjetëra shqiptarë që po pretendojnë se po e ndërrojnë fenë (fundi-fundit, ata prapë janë pjesë e komunitetit shqiptar), e të mos flitet fare për mijëra femra katolike e myslimane shqiptare që për 1.000 euro po martohen me sllavë ortodoksë (serbë, maqedonas e malazezë), duke humbur fe, identitet dhe gjurmë shqiptare përgjithmonë?!
Është e pafalshme që në emër të shqiptarisë, përmes përfitimeve të caktuara monetare (përmes klikimeve apo sponsorizimeve të ndryshme), të helmohet opinioni publik me tema të shpifura që nuk na sjellin asnjë lloj dobie, por vetëm dëm dhe përçarje brenda nesh!
Shqiptaria, si në Kosovë dhe gjithandej në Ballkan, ka halle e probleme të shumta, që kanë nevojë më tepër të analizohen dhe zbërthehen jo vetëm nëpër media, por edhe në nivele akademike-shkencore. Madje, në këto nivele është shumë e shëndetshme që të debatohet hapur, me fakte e argumente, pa inate e urrejtje, edhe për rolin e Krishterimit, Islamit ose ateizmit në krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve. /revistashenja