Stoltenberg: Turqia luan rol kyç në luftën kundër terrorizmit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Turqia ka luajtur një rol kryesor në luftën kundër terrorizmit, duke siguruar infrastrukturë dhe platforma për çlirimin e territoreve të kontrolluara nga DEASH, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Duke folur gjatë seancës, ligjvënësi gjerman dhe anëtari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Jurgen Trittin, tha se Turqia nuk ndan vlerat e NATO-s dhe nuk ka sundim të ligjit në Turqi.

Trittin gjithashtu tha se Turqia po shkel embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi dhe po kërcënon anijet gjermane në Mesdheun Lindor.

“A nuk duhet ta shikojmë Turqinë jo si një partner, por si një prishës dhe kërcënim për NATO-n?” tha ai.

Në përgjigje, Stoltenberg tha: “Turqia është një aleat i vlefshëm dhe një aleat i rëndësishëm sepse ato luajnë një rol kryesor, për shembull, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.”

Ai tha se Turqia është aleati i vetëm i NATO-s që lufton kundër DEASH-it në Irak dhe Siri.

“Ata kanë qenë të rëndësishëm në sigurimin e infrastrukturës dhe platformave për çlirimin e territoreve të kontrolluara nga ISIS. Asnjë aleat tjetër nuk pësoi më shumë sulme terroriste sesa Turqia dhe asnjë aleat tjetër nuk strehon më shumë refugjatë, afër 4 milionë refugjatë,” shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu tha se në vizitën e tij të fundit në Ankara, presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan ia ka shprehur shqetësimet në lidhje me vendimin e Turqisë për të blerë sistemin rus S-400 të mbrojtjes ajrore dhe zhvillimet në Libi dhe Mesdheun Lindor.

Kreu i delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Osman Aşkın Bak, gjithashtu iu përgjigj ligjvënësit gjerman Trittin, duke u shprehur se “Turqia është një vend demokratik, një aleat i vlerësuar dhe Turqia ka marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s”.

“Turqia, siç tha sekretari i përgjithshëm, është i vetmi vend që lufton kundër DEASH-it gjoks më gjoks në terren në Siri”, tha Bak, duke dënuar gjithashtu komentet e Trittin-it.