Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që të respektojë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, duke thënë se aktivitetet e NATO-s kanë qëllime mbrojtëse dhe nuk duan një Luftë të Ftohtë të re.
Rendin e ditës së Aleancës, Jens Stoltenberg e vlerësoi në fjalën që mbajti në hapje të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila zhvillon punimet në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.
Stoltenberg vuri në dukje se NATO është një aleancë që e mban fjalën.
“Ne e deklarojmë atë që bëjmë dhe i mbajmë zotimet që japim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenberg vuri në dukje se NATO-ja ka evoluar përballë sfidave dhe kërcënimeve që ka sjellë klima e re e sigurisë, ndërsa shtoi se Aleanca e ka shtuar praninë në jug dhe në lindje të saj.
Duke theksuar se trupat e NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni janë bërë plotësisht funksionale, Stoltenberg tha se këto trupa kanë dhënë në mënyrë të qartë mesazhin: “Një sulm i bërë ndaj një aleati, do të konsiderohet sikur është bërë ndaj të gjithë Aleancës”.
Stoltenberg shprehu shqetësimin e tij për mobilizimet ushtarake që Rusia bën në kufijtë e aleatëve të NATO-s.
Aktivitetet e NATO-s janë të fokusuara në mbrojtje dhe janë tërësisht proporcionale e zhvillohen në kuadër të përgjegjësive ndërkombëtare, tha Sekretari i Përgjithshëm duke shtuar se Rusia nuk kishte qenë shumë transparente, në veçanti gjatë stërvitjes ushtarake “ZAPAD 2017“, e cila u mbajt në datat 14-20 shtator.
Stoltenberg njoftoi se samiti i radhës i NATO-s do të mbahet në vitin 2018, në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, duke shtuar se vazhdojnë përgatitjet e nevojshme për këtë samit.
“Në Samitin e Brukselit do të përqendrohemi në çështje të tilla si: zhvillimi i mbrojtjes tonë të përbashkët, përmirësimi i stabilitetit dhe sigurisë në krahun tonë lindor dhe jugor, marrëdhëniet me Rusinë, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian(BE) dhe modernizimi i aleancës”, sqaroi Stoltenberg./Mesazhi/